Kurti : Pavarësia e plotë – gënjeshtër
Me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka shkruar letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit.
Në këtë letër Kurti shkruan se Kosova nuk ka pse ta festojë më 10 shtator dhe për këtë ai ka numëruar disa arsye. Sipas tij largimi i mbikëqyrjes së Pavarësisë ka pak rëndësi kur mbetet në zbatim Plani i Ahtisarit.
‘’Duke na parë vetëm nëpërmjet prizmit etnik, Plani i Ahtisaarit e ka institucionalizuar ndarjen etnike në vendin tim. Ai ka krijuar autonomi territoriale për minoritetin serb në Kosovë, që përbën 5% të popullsisë, në 20% të territorit tonë. Ai ka krijuar kufij të tjerë autonomë përreth zonave të shumta ortodokse, të cilat i ka definuar si pronë të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Pra, ai i ka instrumentalizuar këto vende kulturore politikisht, në vend që t’i respektojë ato si trashëgimi të gjithë popullit të Kosovës, dhe duke u dhënë besimtarëve të saj të sotëm lirinë për ta përcaktuar vetveten. Së treti, ky Plan ka dashur të transformojë identitetin e Kosovës duke e imponuar përkufizimin e tij për ne si “shoqëri multietnike,” pa pëlqimin tonë, dhe duke e mohuar realitetin se mbi 90 për qind e popullsisë sonë është shqiptare.
Ai u ka treguar ambasadorëve se ai nuk beson se Kosova tashmë është plotësisht e pa varur.
“ Sipas një marrëveshjeje të re ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe BE-së, misioni i EULEX-it do të jetë këtu së paku deri në vitin 2015, me mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në preambulën dhe klauzolat përkatëse të dokumentit themelues të EULEX-it, Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së 5928/08, i cili e bazon misionin e EULEX-it në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së dhe që përcakton një seri kompetencash ekzekutive mbi institucionet e Kosovës. Për më tepër, BE-ja ende nuk e ka shfuqizuar marrëveshjen e nëntorit 2008 me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së lidhur me “neutralitetin ndaj statusit” të misionit të saj’’ thuhet më tej në letrën e Kurtit.
Në fund Kurti i ka lutur ambasadorët që ti kushtojnë më shumë rëndësi Kosovës dhe të marrin vendimet e duhura ndaj sajë.
Kurti me duket se po ben lojen e karriges.Sa te marre frenat e pastaj ti prije radhes si te tjeret.
PëlqejeniPëlqejeni