Kalo te lënda

Kosova, para shumë sfidave të mëdha

Vazhdimi i mbikëqyrjes së pavarësisë është i pakuptimtë ka thënë analisti i njohur gjerman, Norbert Mappes-Niediek, duke shtuar se Kosova gjendet para sfidave të mëdha.

Ai në një intervistë për Deutsche Welle ka pohuar se pavarësia e ndonjë vendi me siguri që nuk mund të arrihet me mbikëqyrje të pjekurisë.

“Pavarësia arrihet kur dikush sillet si i pavarur. Kosova e ka dëshmuar këtë. Kosovarët janë çliruar. Një kohë të gjatë ata kanë bërë një rezistencë paqësore. Më pas kanë luftuar kundër Serbisë dhe në këtë mënyrë janë bërë komb. Ndaj askush nuk mund të bëj atestimin nëse ata e kanë arritur pjekurinë apo jo”, tha Mappes-Niediek.

Ai më tej ka thënë se Kosova gjendet para problemeve shumë të mëdha, nuk është  rimëkëmbur ekonomikisht, gjegjësisht është vendi më i varfër i rajonit.

“Një numër i madh i të rinjve të shkolluar ka ikur nga vendi. Arsimi në Kosovë ka qenë në 12 vitet e fundit në një nivel shumë të ulët, ndaj mund të flitet për gjenerata të humbura. Kosova është ç’industrializuar dhe ka një papunësi prej gati 50 %. Ky vend mund të mbijetojë vetëm duke i falënderuar ndihmave nga jashtë dhe kjo me siguri që kufizon shumë sovranitetin e Kosovës. Ndaj marrja zyrtare e sovranitetit të plotë nuk ka kurrfarë domethënie. Sovraniteti i Kosovës mbetet edhe më tej shumë i kufizuar, për shkak të varësisë së saj ekonomike dhe politike nga vendet e jashtme dhe institucionet ndërkombëtare. Përfaqësuesi ndërkombëtar Peter Faith nuk i ka përdorur asnjë herë kompetencat që i takojnë. Ndaj me këtë datë nuk do të ndryshojë asgjë në Kosovë”, ka thënë Mappes-Niediek.

Duke folur për veriun e vendit, analisti gjerman ka thënë se nuk mund të zgjidhet me dhunë.

“Problemi nuk mund të zgjidhet as me negociata të drejtpërdrejta me kryetarët e bashkive në veri të Kosovës. Ai mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave me Beogradin. Besoj se dialogu politik është rruga më e mirë. Mbetet të shihet nëse Beogradi me të vërtetë është i gatshëm për lëshime dhe nëse mund të gjendet një zgjidhje. Teorikisht ka shumë mundësi. Për shembull, modeli i propozuar nga ish-diplomati gjerman Wolfgang Ischinger, që çështja të zgjidhet ngjashëm me marrëveshjen mes dy Gjermanive nga viti 1972. Besoj se mund të gjendet ndonjë zgjidhje e qëndrueshme, nëse palët tregojnë vullnetin e duhur politik dhe nëse janë kreative. Por kjo varet nga ajo se sa Beogradi është në gjendje të kapërcejë hijen e vet dhe sa bashkësia ndërkombëtare është kreative. Në veri do të ketë një kompromis, i cili mund të arrihet, në qoftë se palët duan…”, ka thënë ndër të tjera analisti gjerman. /Telegrafi/

Lini një koment