Kalo te lënda

Ish-këshilltari i Pacollit përfaqëson konsorciumin që ofertojë 850 milionë euro për Albpetrolin!

Pak orë pas hapjes së ofertave në tenderin e shitjes së kompanisë shtetërore shqiptare “Albpetrol” dhe ofertës së lartë që nuk e ka pritur askush, nisin e dalin në dritë edhe dyshimet dhe pikëpyetjet e para.

Konsorciumi i përbërë nga ‘Vetro’ dhe ‘Silk Road Equity’, që ofroi çmimin më të lartë prej 850 milionë eurove, të paktën nga të dhënat që mund të merren publikisht nuk rezulton të ketë eksperiencë në fushën energjetike, një kriter detyrues për blerësin e ‘Albpetrol’.

‘Silk Road’ është një fond amerikan investimesh nga Chkago, ndërsa ‘Vetro’ një kompani nga Singapori, për të cilën ekzistojnë shumë pak informacione publike.

Por dyshimet që lidhen me kriterin strategjik nuk janë të vetmet. Madje, janë të tjera fakte ato që hedhin dyshimet më të forta mbi këtë privatizim ende në tentativë, shkruan Top- Channel .

Në tender ky konsorcium përfaqësohej zyrtarisht nga Esad Pushkar, një boshnjako-amerikan shumë i njohur deri tani jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Kosovë.

Pushkar, një personazh kontrovers, ishte njeriu në qendër të skandalit që shoqëroi zgjedhjen e Behgjet Pacollit president në Kuvendin e Kosovës, më 22 shkurt të vitit të kaluar.

Gjatë seancës për zgjedhjen e Pacollit, ishte pikërisht Pushkar ai që shërbente si ndërmjetës në komunikimet me mesazhe mes ish-ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell dhe Pacollit.

Nga lëvizja Vetëvendosje ai është pagëzuar me emrin “Damir Fazlliqi i Kosovës”. Ky i fundit ndoshta jo fort rastësisht mbërriti në Tiranë mbrëmjen e vonë të së enjtes, i përfolur si lobues për një tjetër kompani në tender.

Me sa duket, betejën e ndërmjetësve kontroversë deri tani e ka fituar boshnjaku më i ri. Por në fakt, lidhjet e Pushkarit nuk janë të forta vetëm në Kosovë.

Nga një kërkim i thjesht në internet zbulohet se Pushkar ka shërbyer edhe si këshilltar i parë i një biznesmeni të njohur dhe po kaq kontrovers në fushën energjetike në Shqipëri, Rezart Taçi.

Të dy i bashkon edhe një histori me Azerbajxhanin. E ndërsa Taçi së fundmi është përballur me probleme në gjykatë me Bankën Kombëtare të Azerbajxhanit, për një borxh prej 75 milionë eurosh për blerjen e ‘Armo’, Pushkar ka qenë mjaft aktiv në Baku muajt e fundit, me takime të nivelit të lartë dhe premtime për hapësira të reja investimi në Evropë.

Kjo lidhje po risjell në vëmendjen e publikut një skenar të ngjashëm pak vite më parë, kur qeveria shqiptare privatizoi pikërisht ‘Armo’. Edhe në atë kohë, fillimisht u tha se blerës ishte një kompani amerikane nga Teksasi, por që më vonë rezultoi të ishte Rezart Taçi.

Amerikanët nuk u dukën asnjëherë në Shqipëri dhe emri i tyre nuk u lakua pas përfundimit të tenderit. Përfshirja e Pushkarit në tenderin për ‘Albpetrol’ i shton edhe më shumë dyshimet se kush qëndron pas ofertës për blerjen e ‘Albpetrol’.

Nga vijnë paratë dhe kush është e mund të jetë vërtetë pronari i ri i ‘Albpetrol’, amerikanët e konsorciumit apo azerët?

Shtojca e Gazetës Shqiptare, Bluetooth, ndërkaq shkruan se Pushkar ka qenë në një lidhje dashurie me Bertinën, vajzën që pati marrë pjesë në BB3 e një vit më pas edhe në formatin e ngjashëm kosovar, Shpija. Për këtë lidhje thuhet se nuk dihet nëse funksionin ende, or ka funksionuar shumë mirë deri para dy muajsh.

Lini një koment