Hetohen dy vëllezërit e Fatmir Limajt, pa vendim gjykate
Prokurori Johannes Picke ka futur në procedurë penale Demir e Florim Limajn, si dhe ish-shefin e kabinetit të Fatmir Limajt, Endrit Shala, nën dyshimin se janë të përfshirë në afera korrupsioni.
Afati ligjor për hetime ka kaluar qysh më 23 prill të këtij viti. Ky prokuror ka zgjedhuar hetimet kundër Demir Limajt dhe Endrit Shalës, që lidhen me ish ministrin e Transportit, Fatmir Limaj dhe ka nxjerrë vendim për nisje të hetimeve kundër Florim Limajt, krejt këtë bazuar në shtatë faqe transkripte telefonike dhe mesazhe që konsiderohen të montuara, shkruan “Koha Ditore”.
Kjo dosje, që tashmë e ka në dorë prokurori, i ishte dorëzuar Fatmir Limajt tre vjet më parë nga kryeministri Hashim Thaçi. “Koha Ditore” ka marrë vesh të premten se ftesave të prokurorit për marrje në pyetje u janë përgjigjur tre të dyshuarit, ndërsa vetë Fatmir Limaj do të merret në pyetje sërish të martën.
Mirëpo, ata nuk u janë përgjigjur pyetjeve të prokurorit për shkak se afati ligjor për hetime tashmë ka kaluar prej muajsh.
Prokurori ka pasur afat ligjor dy vjet për zhvillim hetimesh. Afati ka përfunduar me 23 prill. Pas kësaj date ka pasur mundësi të ngrejë aktakuzë apo të pushojë hetimet. Asnjërën nuk e ka bërë, por ka marrë vendim për zgjerim hetimesh kundër dy të pandehurve dhe fillim hetimesh për një tjetër.
Hetimet kundër ish ministrit Limaj, shefit të prokurimit, Nexhat Krasniqi kanë filluar më 23 prill 2010. Ato patën rezultuar me një aksion bastisjesh në ministri, në pronat e Limajt e të Nexhat Krasniqit.
Kjo bastisje ishte më e madhja e kryer në Kosovë në kërkim të provave inkriminuese. Mirëpo, askush ishte arrestuar.
Limaj është nën hetime në dyshimin se ka kryer katër vepra penale: krim të organizuar, shpëlarje parash, marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Por ish vartësi i tij, Endrit Shala, dyshohet për më shumë vepra se ai. Ai po dyshohet për shpëlarje parash, krim të organizuar, përvetësim të detyrës, shpërdorim të pozitës zyrtare, lidhje të kontratës së dëmshme, marrje të ryshfetit dhe pengim të të provuarit. /Telegrafi/