‘Dialog’ me terroristët verior
Grupe kriminale serbe kanë sulmuar të premten paradite makinat e policisë dhe KFOR’it, derisa po patrullonin në fshatin Varage afër Zubin Potokut. Nga xhamat që u thyen gjatë gjuajtjeve me armë mbeti e lënduar një police serbe dhe një i EULEX-it. U shkatërruan edhe dy makina, njëra e KFOR’it dhe tjetra e Policisë së Kosovës. Ky akt u dënua nga Qeveria e Kosovës, autoritetet ndërkombëtare dhe ato të Serbisë.
Po sulmojnë pandërprerë. Grupe të caktuara të serbëve që jetojnë në veri të vendit kanë vendosur të mos e kalojnë asnjë ditë pa planifikuar ndonjë sulm. I treti me radhë ndodhi të premten. Këtë herë cak të sulmit grupet kriminale serbe patën KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. Serbët filluan të gjuajnë me armë drejt makinave të tyre. Madje nga të shtënat, ata lanë të plagosur një police, e cila gjatë sulmit ndodhej në makinën që po patrullonte atë zonë.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti. “Një pjesëtare e Policisë së Kosovës e përkatësisë etnike serbe, që ndodhej në automjet, ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë. Lëndimet nuk iu shkaktuan nga armët. Ajo pësoi gërvishtje nga xhamat e automjetit”, ka sqaruar Zahiri sipas të cilit, pas ofrimit të ndihmës në ambulanten e Zubin Potokut, policja është lëshuar në shtëpi.
Zahiri sqaron se gjithçka nisi në kohën kur pjesëtar të policisë dhe KFOR’i ishin duke patrulluar me dy automjete në fshatin Varage afër Zubin Potokut. “Rreth orës 9:00 persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në Varage, në momentin kur po patrullonin dy automjete, njëra e EULEX-it dhe tjetra e Policisë së Kosovës, të cilat zakonisht vëzhgojnë së bashku në këtë zonë”, ka thënë Zahiti.
E menjëherë pas këtij akti kriminal pati edhe reagime të shumta. Shefi i EULEX’it, Xavier dhe Marnhac dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, e dënuan fuqishëm incidentin me të shtëna sot në veri të Kosovës. Sipas EULEX’it, një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe një automjet i policisë së Kosovës dhe një automjet i EULEX-it kanë pësuar dëme. Një numër personash të armatosur janë shfaqur në rrugën mes Zupçit dhe Zubin Potokut sot në mëngjes, të cilët kanë hapur zjarr kundër dy automjeteve.
“Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar. Personat përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë sa më shpejt. U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion në lidhje me këtë incident që të kontaktojnë policinë,” tha Xavier de Marnhac.
“Unë e dënoj këtë akt dhune. Jetë njerëzish janë vënë në rrezik. Kjo tregon dhe përforcon nevojën për më shumë sundim ligji në këtë të Kosovës. Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së dhe EULEX-i do të vazhdojnë të punojnë së bashku për këtë,” tha Samuel Zbogar. Sipas një njoftimi të EULEX-it, një numër oficerësh policie të EULEX-it kanë qenë duke udhëtuar për në Zubin Potok për të kryer detyrat e tyre të zakonshme në stacionin e policisë, kur ka ndodhur sulmi. Automjeti i Policisë së Kosovës ka qenë duke i shoqëruar ata.
Ndërkohë, pas sulmit që iu bë konvojit të Bashkimit Evropian në Varagë të Zubin Potokut, njoftohet se drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ndërpreu vizitën në enklavat serbe në pjesën jugore të Kosovës. Sipas të përditshmes serbe “Blicit”, ai në të kthyer ka caktuar një takim urgjent me serbët në pjesën veriore të vendit tonë.
“Me shqetësimin më të madh kam marrë informacion se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në automjet të EULEX-it. Qeveria e Serbisë dënon ashpër çdo formë të dhunës, dënon të gjithë ata individë dhe grupet që mendojnë se dhuna mund të zgjidhë gjithçka”, ka thënë Vulin.
Ai është shprehur i gatshëm që në emër të shtetit serb të ofrojë çdo ndihmë për kapjen e autorëve që kryen këtë vepër kriminale. Ai ka apeluar dhe ka kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare që të bëjnë gjithçka dhe të hetojnë intensivisht sulmin.
Vulin ndodhej për vizitë dyditëshe me lejen e autoritete shtetërore të Kosovës. Por, të premten Qeveria e Republikës së Kosovës ia ndërpreu atij vizitën, pasi pa lejen e askujt ai ka ndërprerë vizitën tek serbët e jugut për t’u nisur drejt atyre në veri. “Arsyeja e ndërprerjes së vizitës është bërë për shkak se z. Vulin ka bërë devijim të agjendës dhe nuk i është përmbajtur agjendës e cila paraprakisht ishte e miratuar nga organet përkatëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës. Tutje bëhet e ditur se njësitet policore të rajonit të Mitrovicës kanë bërë përcjelljen e Aleksandër Vulin dhe i njëjti përmes pikë-kalimit kufitar në Merdarë, rreth 14:18 është deportuar për në Serbi. Me aprovim të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte e paraparë që Aleksandër Vulin do të qëndronte dy ditë (06-07 shtator 2012) në vendin tonë, ku do të zhvillonte vizita religjioze në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, njofton express.
E incidenti që ndodhi të premten në Mitrovicën veriore ishte sulmi i tretë brenda vetëm një jave. Para tri ditësh cak i sulmit atje ishte Millan Jakovleviqit, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në pjesën veriore të Mitrovicës. E më vonë, pas mesnatës, të njëjtën ditë, në Leposaviq është hedhur edhe një mjet shpërthyes në oborrin e Radovan Jovanoviq, pjesëtarit të policisë së Kosovës./standardi.info