Bogdanoviq: Koha që të pajtohemi me shqiptarët
“Ka ardhur koha për një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve, mjaft me konflikte, është momenti për pajtim”. Deklaratën e ka bërë ish-ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç në një intervistë dhënë për DW, ku shprehet se Beogradi e Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, duke vazhduar dialogun e nisur me ndërmjetësimin e BE-së dhe duke zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri më tani.
“E vërtetë është që Kosova këto ditë do të mbetet pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Ndërkohë që sfidat më të mëdha, të cilat kanë ekzistuar që prej fillimit të konflikteve të armatosura, ekzistojnë edhe sot. Këto janë liria e lëvizjes, problemet e pazgjidhura me pronat, mungesa e gatishmërisë së liderëve politikë shqiptarë dhe serbë për pajtim. Një problem shumë i madh është edhe kthimi i njerëzve të zhvendosur nga Kosova. Kthimi nuk mund të realizohet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Pra, Kosovën e presin sfida dhe probleme të mëdha. Kam frikë se situata nuk mund të ndryshojë pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe pa praninë e saj të fuqishme. Gjendja madje mund të përkeqësohet. Ne që jetojmë këtu dhe e shohim ardhmërinë tonë në Kosovë duam që shqiptarët dhe serbët të pajtohen sa më parë dhe që mosmarrëveshjet të harrohen. Kjo mund të arrihet nëse ekziston vullneti politik, i cili për fat të keq, ende nuk ekziston tek asnjëra palë”, thekson Bogdanoviq,transmeton Express.
Sa i takon dialogut të nisur, ish-ministri i qeverisë serbe për Kosovën vlerëson se Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë ndonjë zgjidhje kompromisi, me të cilën do të ishin të kënaqur të dy palët dhe në radhë të parë populli serb dhe shqiptar, ndërkohë thekson se Serbia nuk do e njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Ne kemi nisur një rrugë të mirë. Kemi nisur dialogun dhe kemi arritur disa marrëveshje. Ndërsa Qeveria e re tani duhet të zbatojë këto marrëveshje, ndonëse disa prej tyre janë realizuar në kohën e qeverisë sonë. Sfidat më të mëdha janë tani administrimi i integruar i vijave administrative, liria e lëvizjes dhe çështja e veriut. Pa zgjidhjen e çështjes së veriut nuk mund të ketë asnjë përparim në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit”, deklaron Bogdanoviq.
Ai mendon që në veri të Kosovës është e rëndësishme, të vendoset sundimi i ligjit, që të sigurohet liria e lëvizjes, që EULEX-i dhe KFOR-i të lëvizin të lirë, që të neutralizohen dhe eliminohen grupet ekstreme serbe dhe shqiptare në veri, që fajtorët dhe kriminelët të nxirren para drejtësisë.
“Më e rëndësishmja është që të shkojnë në drejtim të pajtimit. Konflikte dhe probleme ka pasur mjaft. Kanë kaluar 13 vjet nga konflikti dhe ne nuk kemi arritur asgjë – jo vetëm serbët, por as shqiptarët, të cilët po ashtu kanë mbetur pa punë dhe jetojnë në gjendje të rëndë sociale. Ndaj sa më parë duhet të zgjidhim çështjet politike në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe njerëzit të fillojnë të jetojnë normalisht, nga puna e tyre”, përfundon intervistën e tij, ish- ministri serb për Kosovën.