Kalo te lënda

Tallava diplomacia!

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka deklaruar të enjten se njohja nga Republika e Malit nuk ka ekzistuar asnjëherë! “Njohja nga Mali apo mosnjohja nga Mali ka qenë një keqkuptim, nuk ka qenë tërheqje, por ka qenë një njohje e cila asnjëherë nuk ka ndodhur”, ka thënë Hoxhaj, pasi është pyetur për debatin rreth njohjes, përkatësisht mosnjohjen nga Mali.

Kjo deklaratë e ministrit Hoxhaj bie ndesh me deklaratën e dhënë ditë me parë nga, zv/ministri i jashtëm, Petrit Selimi, i cili pati thënë për gazetën se nota verbale nga Republika e Malit ekziston, ndërsa njohja shumë shpejt do të vendoset edhe në ueb faqen e ministrisë.

 

Pse?!

 

“Për inat të resë, me vdektë djali”, pikërisht kështu bëri ministri Enver Hoxhaj. Në tentativë e sipër për të dëmtuar Behgjet Pacollin, partner në politikën e jashtme, ai dëmtoi veten. Demantoi veten keq. Ndërsa rezultati i tërë kësaj, përveç lajthitjes në të cilën e vendosi veten vullnetarisht, ishte edhe fakti tashmë shumë publik. Hoxhaj nuk e do më Pacollin për shef në politikën e jashtme. Shefi gënjeu, kështu tha Hoxhaj nëse thekset i nxjerrim nga konteksti i fjalëve të tij.

 

Tashmë çështja është edhe më komplekse se kaq. Ministri Hoxhaj dje tha “gënjeu shefi” ndërsa vet e gënjeu shefin, ama “shefin”, e Qeverisë, kur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit teksa qëndronte fare pranë tij, e detyroi Thaçin ta falënderonte publikisht Malin për njohjen që i kishte bërë Kosovës. “Mali asnjëherë s’e ka njohur Kosovën” deklaroi Hoxhaj dje. Por Hoxhaj, që u informua për njohjen 1 orë para se Pacolli të kumtonte këtë në konferencë për media, e pa të arsyeshme t’i rekomandonte shefit në Nju Jork që ta falënderonte Malin. Normalisht kryeministri Thaçi, dëgjoi këshillën dhe me shumë kulturë e gjentilesë e bëri një gjë të tillë. Të gjithë e pamë.

 

Tani pyetja është se, nëse gënjeu Pacolli, dhe teksa Hoxhaj këtë e dinte, pse vendosi ta bënte ‘horë’ kryeministrin në sytë e një bote të tërë në OKB, pikërisht në mbledhjen ku ai me shumë dinjitet për herë të parë përfaqësoi Kosovën? Në rregull me Pacolli, kjo edhe mund të kapërdihet në relacion me Hoxhajn, sado jo normale dhe që është. Por si qëndron puna me Thaçi? Me njeriun që Hoxhajn nga periferia e vendosi vonshëm në hierarkinë e partisë së tij. E pozicioni fuqishëm, i dha lavdinë dhe privilegjet.

 

Pse e gënjeve kryeministrin z. Hoxhaj? Çka po ndodhë? Analistët kritikojnë diplomacinë.

 

Kjo situatë nga analistët politik shihet si lajthitje e diplomacisë kosovare. Sipas tyre, ky çakordim i diplomacisë po e dëmton imazhin e Kosovës, andaj ata kërkojnë një unifikim të diplomacisë në mënyrë që gjërat siç ka qenë me njohjen e Malit mos të përsëriten më.

Njohësi i proceseve integruese, Emrush Ujkani, thotë se ndarja e përgjegjësive në diplomacinë kosovare, ka bërë që diplomacia e Kosovës sipas tij, të jetë e shpërqendruar. Ai kërkon që të krijohet një kohezion politik, në mënyrë që të gjendet një formulë përmes së cilës mangësi e tanishme do të eliminoheshin në të ardhmen.

 

“Diplomacia kosovare kohëve të fundit ka treguar një lloj çakordimi në kuptimin se shumë përgjegjësi të diplomacisë kosovare kanë qenë të ndara në disa institucione. Sidoqoftë, kjo kërkon një vigjilencë, kërkon shqyrtim të brendshëm politik që do të duhej t’i bëhej një situate të tillë, se nëse ka ndodhur një herë mos të ndodh edhe herën e dytë”, ka thënë Ujkani. Sipas tij, një mos koherencë në diplomacinë kosovare, është duke ndikuar negativisht në shtimin e njohjeve dhe imazhin e Kosovës, shkruan gazeta TSH.

 

Nga ana tjetër, analisti Nexhmedin Spahiu e quan joserioze veprimin e diplomacisë kosovare, rreth procesit të njohjes së Malit. “Puna e njohjes së Malit nuk është me rëndësi, është një lajthitje në diplomacinë e Kosovës, por që nuk është ndonjë problem i madh. Megjithatë, kjo tregon për seriozitetin e diplomacisë tonë”, ka thënë Spahiu. Ai thotë se ka shumë çështje që do të duhej ta shqetësonin shoqërinë tonë sesa njohja nga Mali. /standardi.info

Lini një koment