Kalo te lënda

Sulmi në veri – akt terrorist!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar aktin terrorist, qyqar e tinëzar ndaj patrullës së policisë së Republikës së Kosovës dhe autokolonës të misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, që ndodhi të premten në mëngjes në afërsi të Zubin Potokut, në të cilin sulm me armë nga prita, persona të maskuar plagosën një pjesëtare të policisë së Kosovës.

“Presidentja e Kosovës e shprehë përkushtimin dhe angazhimin e institucioneve që ata që zunë pusi dhe sulmuan policinë e Kosovës, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të saj, do të zbulohen dhe do të marrin dënimin nga organet e drejtësisë”.

“Aktet e tilla janë të patolerueshme dhe dënohen e gjykohen nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që  angazhohen për rend dhe qetësi, për sundim të ligjit dhe për lëvizje të lirë në të gjithë territorin e vendit”, thuhet në deklaratën e presidentes.

Sulmi i sotëm, me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj përfaqësuesve të EULEX-it, i cili ka ndodhur në rrugën në mes të Zubin Potokut dhe Zupçes, sipas Qeverisë së Republikës së Kosovës dëshmon edhe një herë se krimi dhe mungesa e sundimit të ligjit në veri të vendit, kërkon mobilizim për trajtim nga institucionet lokale dhe ndërkombëtare në Kosovë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ballafaqohet me vendosmëri në luftën kundër akteve kriminale dhe veprimtarisë së rrjeteve të organizuara kriminale në këtë pjesë të vendit, si dhe të ndërmarr të gjithë hapat për vendosjen e sundimit të ligjit dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, thuhet në një deklaratë për media të Qeverisë, e cila apelon te të gjithë qytetarët e ndershëm, që të distancohen nga kriminelët dhe të gjithë ata që janë bartës të aktiviteteve ilegale, dhe të bashkëpunojnë me institucionet legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës.

“Aktet e dhunës kundër forcave të rendit dhe të sigurisë, janë akte të dhunës kundër sigurisë së të gjithë qytetarëve të shtetit tonë, dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këto akte të dhunshme dhe shkelin rendin dhe ligjin do të marrin dënimin dhe veprimin e ashpër të ligjit”. /Telegrafi/

Lini një koment