Shtyhet gjykimi i policit që vrau dy shqiptarë në Gostivar
Është anuluar për shkaqe sigurie procesi gjyqësor ndaj policit Jakim Trifunovski, për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë në Gostivar, Besnik Shehapi, 25 vjeç, dhe Imran Mehmeti 30 vjeç.
Vendimin për anulim e ka marrë gjykatësi Branko Sekullovski, për shkak të, siç ka theksuar ai, rrezikut të lartë dhe si rrjedhojë e kësaj i akuzuari nuk është sjellë nga burgu i Prilepit, ku edhe po mbahet në paraburgim.
Ndaj këtij arsyetimi ka reaguar avokati mbrojtës i të dëmtuarve, Vullnet Paçuku, i cili vendimin e ka quajtur të pabazë pasi gjendja e sigurisë në Gostivar është e qetë dhe nuk janë vërejtur elemente të rrezikut të lartë, siç ka pretenduar gjykata, transmeton Koha.
Polici Jakim Trifunovski, më 28 shkurt të këtij viti, pas një zënke verbale për një vend parkimi, me armën zyrtare të policisë ka vrarë dy shqiptarët. Akti i këtillë pati shkaktuar reagime dhe protesta të shumta nga organizata të ndryshme të cilat kanë kërkuar dënimin më të rreptë të autorit të kësaj ngjarje.