Kalo te lënda

Qeveria e vendosur të luftojë krimin në veri

Sulmi i sotëm, me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës dhe ndaj përfaqësuesve të EULEX-it, i cili ka ndodhur në rrugën në mes të Zubin Potokut dhe Zupçës, dëshmon edhe një herë se krimi dhe mungesa e sundimit të ligjit në veri të vendit kërkon mobilizim për trajtim nga institucionet lokale dhe ndërkombëtare në Kosovë, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës rreth këtij zhvillimi.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ballafaqohet me vendosmëri në luftën kundër akteve kriminale dhe veprimtarisë së rrjeteve të organizuara kriminale në këtë pjesë të vendit, si dhe të ndërmarrë të gjithë hapat për vendosjen e sundimit të ligjit dhe sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave edhe në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e ndershëm që të distancohen nga kriminelët dhe të gjithë ata që janë bartës të aktiviteteve ilegale, dhe të bashkëpunojnë me institucionet legale dhe legjitime të Republikës së Kosovës. Kjo do të kontribuojë edhe në ndërtimin e jetës së qetë dhe prosperuese për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Aktet e dhunës kundër forcave të rendit dhe të sigurisë, janë akte të dhunës kundër sigurisë së të gjithë qytetarëve të shtetit tonë, dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këto akte të dhunshme dhe shkelin rendin dhe ligjin do të marrin dënimin dhe veprimin e ashpër të ligjit.

Qeveria e Kosovës bën thirrje të institucionet përkatëse të rendit dhe ligjit për angazhim në ndriçimin e rastit dhe për kapjen dhe sjelljen para drejtësisë të aktorëve të këtij akti terrorist, që është i drejtuar kundër institucioneve dhe sigurisë së qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Lini një koment