Kalo te lënda

Plagoset një polic i Kosovës në Zubin Potok

Shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnjak dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zhbogar, kanë dënuar fuqishëm incidentin me të shtëna sot në veri të Kosovës.

“Një pjesëtar i policisë së Kosovës është lënduar. Personat përgjegjës duhet të sillen para drejtësisë sa më shpejt. U bëj thirrje të gjithë atyre që mund të kenë informacion në lidhje me këtë incident që të kontaktojnë policinë,” citohet të ketë thënë zoti Marnjak.

“Unë e dënoj këtë akt dhune. Jetë njerëzish janë vënë në rrezik. Kjo tregon dhe përforcon nevojën për më shumë sundim ligji në këtë pjesë të Kosovës,” ka thënë ndërkaq Samuel Zhbogar, njofton REL.

Një numër oficerësh policie të EULEX-it kanë qenë duke udhëtuar për në Zubin Potok për të kryer detyrat e tyre të zakonshme në stacionin e policisë kur ka ndodhur sulmi, kurse automjeti i policisë së Kosovës ka qenë duke i shoqëruar ata, thuhet në komunikatë.

………..

Grupe kriminale në veri kanë sulmuar sot në fshatin Varage afër Zubin Potokut dy automjete, njëra e Policisë së Kosovës dhe tjetra e EULEX-it të cilat po patrullonin në atë zonë.

Një pjesëtare e Policisë së Kosovës e përkatësisë etnike serbe që ndodhej në automjet ka pësuar lëndime dhe është jashtë rrezikut për jetë, transmeton RTK.

Sulmi është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Avni Zahiti.

“Rreth orës 9:00 persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në Varage, në momentin kur po patrullonin dy automjete, njëra e EULEX-it dhe tjetra e Policisë së Kosovës, të cilat zakonisht vëzhgojnë së bashku në këtë zonë. Me këtë rast është lënduar lehtë një police, por jo nga të shtënat me armë, por ka pësuar gërvishtje nga xhamat e automjetit”, ka thënë Zahiti.

Sipas tij, pas ofrimit të ndihmës në ambulanten e Zubin Potokut, policja është lëshuar në shtëpi./Indeksonline/

Lini një koment