Ligjet e ‘sovranitetit’- drejt Kushtetueses
Pakoja e ligjeve për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, e miratuar javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.
Një paralajmërim të tillë e ka bërë deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hydajet Hyseni, vetëm një ditë para se Kuvendi t’i hedhë në votim amendamentet kushtetuese që po ashtu lidhen me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë. Qëndrimin e tij ai e ka shpërfaqur gjatë shprehjes së mospajtimeve me mënyrën se si është prezantuar miratimi i kësaj pakoje në procesverbalin e Kuvendit.
Hyseni, i cili ka propozuar tri amendamente në Ligjin për liritë fetare, nuk është pajtuar që Kuvendi t’i hedhë poshtë vetëm amendamentet e tij me arsyetimin se nuk kanë marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve të komuniteteve pakicë gjatë votimit të dyfishtë, ndërsa ato që janë mbështetur nga pakicat t’i konsiderojë të miratuara.
Duke i marrë për bazë praktikat e së kaluarës, Hyseni ka konsideruar se në raste të tilla ligji mbetet në fuqi, ashtu siç ka qenë para nënshtrimit të procedurës së ndryshimit.
“Sa herë një amendament i sponsoruesit nuk e merr shumicën, dhe dy-tri amendamente që kam propozuar unë janë rrëzuar me votën e shumicës së deputetëve, në raste të tilla duhet të shpallen të dyja të pamiratuara dhe mbetet në fuqi dispozita e ligjit fillestar. Andaj kërkoj që ky ligj të mos nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit me këto defekte. Por nëse është nënshkruar do të ishte mirë që presidentja të mos e shpall, pasi është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me konventat ndërkombëtare, në mënyrë që të mos detyrohem që këtë çështje ta procedojë edhe në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Hyseni.
Për këtë Hyseni ka marrë mbështetjen e nënkryetarit të Kuvendit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Sabri Hamiti, i cili e ka përgëzuar atë edhe publikisht për qëndrimin dhe interpretimin që i ka bërë kësaj çështjeje.
“Meqë nuk kanë kaluar ato amendamente, mbetet ligji fillestar dhe çdo interpretim kushtetues dhe ligjor, kushdo që do ta bëjë, do të mbërrijë në këtë pikë”, ka deklaruar Hamiti.
Sipas tij, nuk mundet bishti i votimit, që në rastin konkret është votimi i pakicës, ta dominojë vullnetin e shumicës së Kuvendit.
Mirëpo, me Hysenin dhe Hamitin nuk është pajtuar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se ligjet për trashëgiminë kulturore, ligjet për liritë fetare dhe ligjet për arsimin i nënshtrohen votimit të dyfishtë dhe kalojnë vetëm në rastet kur i marrin pëlqimet e dyfishta.
“Nenet që i ke propozuar ti (Hysenit v.j.) mund të më pëlqejnë mua. Edhe shumica ka votuar për to. Mirëpo komunitetet pakicë kanë votuar kundër. Prandaj kjo është çështje që është mbyllur”, ka thënë Krasniqi. Më pas ai e ka hedhur në votim miratimin e procesverbalit. Me këtë rast ai ka nxitur reagimin e deputetëve të LDK-së, të cilët nuk janë pajtuar me shifrën e deputetëve që kanë votuar kundër e të cilën e ka bërë publike.
Derisa kreu i Kuvendit ka thënë se kundër procesverbalit kanë votuar 28 veta nga 78 deputetët e pranishëm në seancë, Arben Gashi i LDK-së e ka “përgënjeshtruar”, duke thënë se nuk janë numëruar 12 votat kundër të “Vetëvendosjes”.
Kryeparlamentari Krasniqi është tensionuar kur dikush nga deputetët e partisë më të madhe opozitare ka kërkuar që të largohen nga puna zyrtarët e Kuvendit që i kanë numëruar votat. “Deputeti nuk mund ta largojë askënd nga puna. Ne jemi këtu për të punësuar e jo për të larguar njerëz nga puna”, ka thënë ai.
Por nuk ka mbetur pa kundërpërgjigje. Sabri Hamiti ka përkujtuar se ndryshimi i rezultatit të votimit është falsifikim dhe falsifikimi duhet të sanksionohet.
“Për falsifikim duhet me shku në burg, e jo me punu”, ka thënë ai. Me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e 21 ligjeve për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë Qeveria është përkujdesur të ofrojë status të veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Me amendamentet e propozuara kjo kishë konsiderohet si pjesë përbërëse e Kishës Ortodokse Serbe (KOS).
“Emri dhe organizimi i brendshëm i Kishës Ortodokse Serbe, duke përfshirë edhe hierarkinë dhe veprimtaritë e saj, do të respektohen”, thuhet në ligj. Veç statusit është garantuar siguri dhe liri e lëvizjes brenda territorit të Kosovës për të gjithë përfaqësuesit e kësaj kishe. “Nuk do të ketë ndalim arbitrar për hyrje në Kosovë ose qëndrim brenda Kosovës për priftërinjtë, kandidatët për prift, murgj, murgesha dhe pelegrinë”, precizohet në ligj.
Në të është propozuar të fshihet edhe paragrafit 1, i nenit 8 të Ligjit për lirinë fetare, dhe të riformulohet si vijon: “Ndërtesat dhe objektet që u takojnë bashkësive fetare, që janë të dedikuara për kryerjen e ceremonive fetare, konsiderohen të pacenueshme për sa i përket ndërhyrjes së autoriteteve qeveritare dhe në to mund të hyhet vetëm me pëlqimin e institucionit përkatës fetar, përveç nëse është lëshuar ndonjë urdhër gjyqësor për shkak të aktiviteteve ilegale apo/dhe në rast të rrezikut të afërt për jetën ose shëndetin”.
Prona e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe asetet tjera të Kishës Ortodokse Serbe parashihet të jenë të pacenueshme dhe të mos jenë objekt i shpronësimit.
Seanca e votimit të pakos së ligjeve për heqje të mbikëqyrjes së pavarësisë, sipas deputetit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Liburn Aliu, është cilësuar si dëshmi për rrugëtimin në kahe të kundërt të Kosovës.
“Në vend të një rrjedhe politike të rregullt, që shpien Kosovën drejt një shteti normal, po ndodh saktësisht e kundërta… Janë sovraniteti që nënkupton të drejtën e bashkimit me Shqipërinë, integriteti territorial, ushtria, demokracia në institucione e në shoqëri dhe zhvillimi ekonomik, elementet që e përbëjnë atë. E, ne jo që nuk i kemi këto elemente, por me politikën aktuale po shkatërrohet çdo mundësi e rrugëtimit në këtë drejtim”, ka thënë Aliu.
E tëra që pritet të ndodhë këto ditë, sipas tij, do të jetë mbyllja e Zyrë së ICO-s.
“Përse po hiqet dhe me çfarë motivi?”, ka pyetur ai.
Përgjigjen e ka dhënë më pas vetë. “Fakti që një gjë e tillë po ndodh në kohën kur po bëhen përgatitje për dialog politik me Serbinë për veriun e Kosovës tregon që nuk po ngjan e ashtuquajtura përmbyllje e mbikëqyrjes për të shtuar pavarësi për shtetin, por për t’i hequr territor vendit tonë. Kompromiset që do të bëhen do të jenë përtej Pakos së Ahtisaarit dhe meqë këta duan të shkojnë edhe përtej Planit të Ahtisaarit, kjo i bie se duhet të shkojnë edhe përtej Peter Feithit. Dhe jo se z. Feith nuk është dakord politikisht me këtë gjë, porse ai paraqet pengesë juridike për Ahtisaarin plus. Ai ishte këtu për pakon dhe ndryshimet e pakos mund të ndodhin pa të. Pra, Feith po shkon që Qeveria të bëjë kompromise të tjera”.
Çdo lëvizje, më të voglën që Qeveria do të bëjë, sipas Aliut, do të thotë kompromis shtesë. “Tani do të kemi çdoherë pazare ku kërkohen ulëse shtesë, kërkohen komuna, zona të veçanta, të drejta shtesë, status i veçantë për veriun dhe të gjitha janë të mundshme”, ka thënë ai.
E “pakënaqur” me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë është shprehur edhe deputetja serbe, Vesna Mikiq, mirëpo ajo pakënaqësinë ka zbrazur te ndërkombëtarët.
“Ju keni harruar garancitë që i keni dhënë komunitetit serb se status final nuk do të këtë pa u plotësuar standardet për serbët. Por siç po shohim, prej standardeve nuk ka asgjë. Ato kanë mbetur vetëm fjalë, pasi askush nuk është marrë me çështjen e pronave të serbëve”, ka thënë ajo. “Nëse pritjet e ndërkombëtarëve kanë qenë që të mos kthehen dhjetëra-mijëra serbë që janë të shpërndarë nëpër Serbi; nëse pritjet kanë qenë vrasjet e shpeshta në baza etnike; nëse qëllimi i ndërkombëtarëve ka qenë getoizimi i serbëve përmes procesit të decentralizimit dhe nëse pritjet kanë qenë që të fshihet identiteti i serbëve dhe krijimi i kombit virtual kosovar, atëherë kjo është e gabuar”, ka theksuar Mikiq, njofton koha.
Asaj i është kundërpërgjigjur vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. “Në shekullin XXI nuk mund të shikohet me syzet e Milosheviqit”, ka thënë Krasniqi./standardi.info