Kalo te lënda

Kosovë – Maqedoni, forcojnë shkëmbimin tregtar

Intensifikim të bashkëpunimit në sektorin energjetik, turizëm dhe transport ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, si dhe aktivitete për rritjen e këmbimit tregtar, paralajmëruan në Shkup ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Valon Saraçini dhe Besim Beqaj.

Vlerësim i përbashkët i dy ministrave është se krahas marrëdhënieve të mira politike dhe miqësore, është i domosdoshëm intensifikimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ekonomik, tek i cili, thanë, ka potencial të madh.

 

Fokusi i punës në mbledhjen e dytë të Komitetit mikst për bashkëpunim ekonomik ndërmjet qeverive të Maqedonisë dhe të Kosovës, që u mbajt në Shkup, është vënë në sektorët e energjetikës, eksploatimit të lëndëve të para minerale, turizmit dhe transportit, ku, theksoi Saraçini, realisht të dy vendet kanë probleme.

 

Një nga temat më të rëndësishme, informoi Saraçini, do të jetë ndërtimi i largpërçuesit interkonektiv ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës prej 400 kilovatëve, që dukshëm do ta përmirësojë sistemin energjetik në Maqedoni. Largpërçuesi do të duhej të kushtojë 6,2 milionë euro, prej të cilave 2 milionë euro i siguron MEPSO, ndërsa 4,2 milionët e tjerë institucionet financiare ndërkombëtare.

 

Përsëri është hapur tema për mundësinë e importit të qymyrit nga Kosova për prodhimin e energjisë elektrike në Maqedoni. “Ajo që do të duhej plotësisht të elaborohet sepse deri më tani patëm qëndrime kontradiktore. Një pjesë e opinionit të ekspertëve me konstatimin se ekonomikisht është e pashpagueshme që të eksploatohet qymyri nga Kosova, ndërsa të tjerë thonë se ajo do të ishte mirë për prodhimin e energjisë elektrike”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.

 

Saraçini vlerësoi se është e domosdoshme të punohet në respektimin e plotë të CEFTA-s dhe në rritjen e mëtutjeshme të këmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve.

“Republika e Kosovës është partneri ynë i rëndësishëm tregtar dhe e zë vendin e 8 në shumën e përgjithshme. Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit me Kosovën kemi këmbim prej 213 milionë eurove, nga të cilat 200 milionë euro eksport, ndërsa 13 milionë euro import, që edhe një herë tregon në faktin se ka potencial tejet të madh për intensifikim të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve”, tha Saraçini.

 

Minsitri kosovar Beqaj theksoi se po bëhen përpjekje që sa më shumë të zhvillohet bashkëpunimi në energjetikë, të përmirësohet infrastruktura rrugore dhe të rritet këmbimi.

“Dëshirojmë që këmbimi tregtar me Maqedoninë sa më shumë të zhvillohet dhe ai të mos mbetet në nivel të këmbimit të thjeshtë, por të zhvillohet dhe të jetë shumë më konzistent. Gjithashtu, marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, po ashtu edhe ato ekonomike, por duhet të angazhohet edhe sektori privat me qëllim që këto marrëdhënie të marrin akoma më tepër përmbajtje”, tha Beqaj.

 

Në mesin e projekteve infrastrukturore në të cilat punon pala kosovare i numëroi rrugët drejt Tiranës dhe drejt Shkupit. “Për ne është shumë me rëndësi edhe rruga drejt Maqedonisë. Kemi formuar Komitet me pesë ministra të cilët janë të angazhuar për punët rreth këtij projekti. Tashmë janë miratuar kushtet për fillimin dhe kumtimin e konkursit për realizimin e këtij projekti, kemi marrë edhe dritë të gjelbër nga Fondi monetar ndërkombëtar se paralelisht me ruajtjen e stabilitetit makrofinanciar ka mjete dhe mundësi për realizimin e këtij projekti”, theksoi Beqaj./standardi.info

Lini një koment