Jahjaga: KFOR-i ndihmon rrugën Euro-Atlantike të Kosovës
Presidentja e vendit Atifete Jahjaga me rastin e ndërrimit të komandës së KFOR-it, falënderoi për punën e bërë komandantin në largim Erhard Drevs, të cilin e falënderoi për punën dhe angazhimin e tij.
Ndërkaq, i uroj mirëseardhje komandantit të ri Gjeneralit Halauber duke i dëshiruar përmbushje të suksesshme të misionit të tij, në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe ligjit.
“Aleanca Veri-Atlantike, me forcën paqeruajtëse të saj në Kosovë, KFOR, kanë luajtur rol transformues në Kosovë në misionin e tyre. Kjo forcë, e përbërë nga mijëra burra dhe gra të ardhur nga mbi 40 vende të botës, ka ofruar paqe dhe siguri për qytetarët e Kosovës, duke na dhënë mundësinë që të ndërtojmë të ardhmen në një mjedis të qetë dhe të sigurt, të cilin kjo gjeneratë e Kosovës nuk e kishte njohur më parë”, tha sot presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Presidentja theksoi se se falë pranisë së KFOR-it, Kosova ka arritur që për një kohë të shkurtër të sanojë shumicën e pasojave të luftës, ta rindërtojë vendin dhe të zhvillojë ekonominë, të konsolidoj paqen, duke krijuar dhe forcuar institucionet demokratike, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në stabilitetin rajonal.
“Ky ndërrim komande sot në Prishtinë ka edhe një domethënie të veçantë, sepse bëhet në kohën e përmbylljes së suksesshme të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Roli i ushtarëve të KFOR-it në këtë proces ka qenë i pamohueshëm duke na qëndruar pranë në rrugëtimin tonë për t’iu bashkuar familjes së popujve të lirë dhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e një shoqërie shumëkombëshe, të bazuar në respektin për rendin dhe ligjin dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, tha presidentja.
Jahjaga i tha komandantit në largim Erhard Drevs se ishte nder i veçantë ta njihte dhe të punonte me të gjatë një viti duke dëshmuar përkushtimin tuaj për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit në Kosovë. “Ju treguat lidership, maturi dhe frymë bashkëpunimi me institucionet e vendit, gjë që rezultoi në koordinim të mirë dhe të efektshëm në përmbushjen e detyrave tona, të vizionit tonë të përbashkët për ofrimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë. Në ju gjeta një personalitet të sinqertë, një përkrahës të fuqishëm të sundimit të rendit dhe ligjit dhe të proceseve demokratike në vendin tim. I nderuari Gjeneral Drevs, pranoni falënderimet e sinqerta dhe respektin tim për punën tuaj të palodhshme në misionin tuaj në Republikën e Kosovës. Me dekret të veçantë ju nderoj me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë”, tha Jahjaga.
Ndërkaq, komandantit të ri të KFOR-it, Gjeneralit Halbauer, Jahjaga i uroj mirëseardhje, duke i dëshiruar përmbushje të suksesshme të misionit të tij, në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës, në ruajtjen e rendit dhe ligjit, në ruajtjen e paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëqenies dhe mirëkuptimit në mes njerëzve, duke qenë të sigurt në përkushtimin tuaj në ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. “Në emër të institucioneve të Kosovës, ju garantoj se do të keni bashkëpunimin tonë. KFOR-i mbetet misioni ndërkombëtar më i respektuar dhe më i besuar dhe si i tillë gëzon mbështetjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha presidentja, duke thënë se institucionet e vendit janë në dijeni se kanë përkrahjen e vazhdueshme të KFOR-it për të mënjanuar sfidat që i bëhen rendit dhe ligjit në Kosovë, për të garantuar lirinë e lëvizjes në çdo cep të Kosovës dhe për të penguar shkelësit e ligjit që po mbajnë peng jetën e qytetarëve të Kosovës. “Do të vazhdojmë të punojmë në përmbushjen e vizionit dhe misionit tonë të përbashkët që ta bëjmë Kosovën një vend stabil dhe gjithëpërfshirës, në rrugën e saj drejt integrimeve Euro-Atlantike”, tha Jahjaga./standardi.info