Gjenerali Folker Halbauer mori drejtimin e KFOR-it
Prishtinë, 7 shtator – Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e dorëzim-pranimit të komandës së KFOR-it. Gjenerali gjerman, Folker Halbauer, nga sot ka marrë komandën e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, komandanti i NATO-s ne komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë një ambient paqeje e stabiliteti, duke shtuar që objektivat e NATO-së kanë qenë dhe mbesin të palëkundura.
“Përderisa progresi politik pashmangshëm përfshin ndryshimin, objektivat e NATO-së mbesin të palëkundura, duke kontribuar për një ambient të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes për të gjithë në Kosovë. Këto dy kushte mundësojnë që procesi politik të ecë përpara dhe ajo që është me rëndësi, këto dy kushte janë drita e shpresës për secilin qytetar të Kosovës i cili dëshiron paqe, prosperitet dhe liri të qëndrueshme. Duke u ballafaquar me kërcënime të ndryshme, nganjëherë edhe me kërcënime vdekjeprurëse, ju keni reaguar me maturi. Ju ngërtheni në vete më të mirën e NATO-së se e keni demonstruar vendosmërinë e palëkundur të aleancës për të ardhmen e Kosovës”, tha admirali Bruce W. Clingan, komandant i NATO-s në komandën e Napolit.
Me rastin e dorëzim-pranimit të komandës së KFOR-it, gjenerali i deritashëm, Erhard Drews ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin që ka pasur me institucionet e Kosovës.
Komandanti i deritanishëm i KFOR-it Drews në këtë ceremoni u fokusua në gjendjen në Kosovë si dhe në arritjet e Policisë së Kosovës dhe të FSK-së.
“Me kalimin e viteve, Kosova ka kaluar nëpër shumë ndryshime, mirëpo mendoj se është e drejtë të thuhet se për këto 13 vjet, KFOR-i ka mbetur i pandryshuar. Duke kontribuar vazhdimisht për një ambient të qetë dhe të sigurt në mbarë Kosovën, KFOR-i ka forcuar reputacionin e vet si një forcë profesionale e angazhuar për parim. Gjithashtu, dua të shpreh respektin tim për eprorët kompetentë të policisë dhe për punën e palodhshme të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët punojnë me vizion profesional dhe me një vetëdije të lartë të përgjegjësisë që bie mbi ata që i shërbejnë shoqërisë. Kontributi juaj për Kosovën është jetik. Kosova një ditë do të shërbejë si shembull për të tjerët, mbi atë se si njerëzit e dalë nga situatat e frikshme dhe nga bllokadat politike, i bashkojnë forcat për ëndrrat e përbashkëta për prosperitet, për realizimin e ambicieve dhe për respektimin e vlerave”, tha Erhard Drews, komandant i deritashëm i KFOR-it.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se ky ndërrim komande po bëhet në kohën më domethënëse të Kosovës, me rastin e përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës.
Duke çmuar kontributin e gjeneralit Drews, presidentja Atifete Jahjaga theksoi se Kosova dëshiron të jetë vend që ofron siguri për të gjithë qytetarët e saj, por edhe një vend që jep ndihmesën e saj në misione paqësore dhe humanitare kudo në botë.
“Ky ndërrim komande sot në Prishtinë ka edhe një domethënie të veçantë, sepse bëhet në kohën e përmbylljes së suksesshme të fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Roli i ushtarëve të KFOR-it në këtë proces ka qenë i pamohueshëm duke na qëndruar pranë rrugëtimit tonë për t’iu bashkuar familjes së popujve të lirë dhe në krijimin e kushteve për ndërtimin e një shoqërie shumëkombshe, të bazuar në rrespektin për rendin dhe ligjin dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
Me rastin e ndërrimit të komandës, gjenerali Erhard Drews, është dekoruar me medaljen më të lartën të NATO-s dhe me Medaljen Ushtarke për Kontribut të Veçantë nga presidentja Jahjaga.
Komandanti i ri i KFOR-it, gjenrali Folker Halbauer është komandanti i gjashtë gjerman i KFOR-it, që nga vendosja e trupave ndërkombëtare në Kosovë, më 1999.