Beogradi reagon ndaj rezolutës për kodin telefonik
Serbia është ankuar në Unionin Ndërkombëtarë për Telekomunikacion për nismën e Kosovës për heqjen e kodeve telefonike të Serbisë, të Monakos dhe të Sllovenisë dhe marrjen e prefiksit të Shqipërisë.
Ministri për Tregti të Jashtme dhe të Brendshme dhe Telekomunikacion, Rasim Lajiq, ka thënë se zëvendësimi i kodit telefonik nga ana e Kosovës, paraqet shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton REL.
Ai ka thënë se e ka dërguar një notë proteste në Unionin Ndërkombëtar për Telekomunikacion.
Lajiq, ka thënë se në letër ka kërkuar nga Unioni që të pengojë zbatimin e rezolutës, sepse sipas tij, nëse ajo zbatohet, në praktikë do të nënkuptojë që të gjitha telekomunikimet ndërkombëtare me Kosovën do të kalonin nëpërmjet Shqipërisë, me të cilën do të shkelej parimi i ekstra territorialitetit në përdorimin e numrave ndërkombëtarë.
Edhe zëvendësshefja e Qeverisë së Serbisë për integrimet evropiane, Suzana Grubeshiq, ka reaguar ndaj rezolutës së hartuar nga Kuvendi i Kosovës. Ajo ka thënë se marrë parasysh këtë fakt, bisedimet për telekomunikacion mes Prishtinës e Beogradit nuk do të jenë të lehta, por sipas saj, nuk i duhet dhënë rëndësi e madhe, “aktit të njëanshëm” të Kuvendit të Kosovës./Indeksonline/