Kalo te lënda

Bamir Topi kryetar i FRD-së

Ish-presidenti Bamir Topi, tashmë zyrtarisht ndodhet në krye të forcës së re politike “Fryma e Re Demokratike”.

Ditën e sotme u mbajt një ceremoni në selinë e kësaj partie në Tiranë, ku dhe u zyrtarizua pozicioni i ish-kreut të shtetit. Fillimisht foli kreu i grupit nismëtar të FRD-së, Gazmend Oketa, i cili tha se FRD mund të sjellë për shqiptarët ndryshimin e kërkuar për ta bërë Shqipërinë ashtu siç e kanë ëndërruar.

 

Në fjalën e tij, Bamir Topi, veç të tjerash tha: “Pas përfundimit të mandatit kushtetues, unë rikthehem në politikë aktive, me përvojë shumë herë më të madhe shtetërore dhe politike, me një ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe me një synime të qarta për një kontribut të vazhdueshëm në arritjen e atyre standardeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të cilat ne ia premtuam qytetarëve shqiptarë në revolucionin studentor dhe qytetar të vitit 1990”.

 

Topi tha se Fryme e Re Demokratike nuk është një projekt personal dhe as e një stafi të ngushtë bashkëpunëtorësh. “Kudo në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në familje dhe në komunitet, kudo qytetarët janë të shqetësuar me klimën e rëndë dhe zhgënjyese të tranzicionit të deritanishëm”.

Lini një koment