Kuvendi i Shqipërisë, homazhe për nënën
Seanca nisi me fjalën e kryeparlamentares Topalli, e cila tha se Gonxhe Bojaxhiu u bë nëna e gjithë botës dhe puna e saj vazhdon të inspirojë miliona njerëz në botë.
“Murgeshën e vogël, nobelisten e madhe, Ati i Shenjtë vendosi ta shpallë të lumnume. Pati 122 mirënjohje ndërkombëtare për Nënë Terezën. Ajo u bë nëna e gjithë botës.” – u shpreh Topalli. Kryeministri Sali Berisha përshëndeti seancën përkujtimore të Kuvendit me rastin e 15-vjetorit të ndarjes nga jeta të Nënë Terezës.
Berisha theksoi se Nënë Tereza lartësoi emrin e shqiptarëve në një kohë që regjimi diktatorial bënte të kundërtën.
“T’i themi asaj me gjithë zemër, Faleminderit! Nënë Tereza na dhe nder kur nuk e kishim, kur në botë nga një regjim barbar përcillnim lajmet më të përçudnuara, më poshtëruese, kur në një histeri të paparë rrënonim kisha dhe tempuj të shenjtë. Faleminderit që nuk e mohove origjinën tënde”.
Berisha theksoi e me nenë Terezën, Zoti u dha krishterimit dhe njerëzimit një simbol të fuqishëm të moralit dhe përkushtimit njerëzor. ‘Ndaj çdo shqiptar, çdo njeri përulet para saj”. Sipas Berishës edhe pse Nënë Tereza është shqiptare, ajo më së shumti i përket Kalkutës.
“Ajo është Nënë Tereza e Kalkutës dhe nuk duhet të kemi xhelozia. Dhe unë e vizitova Kalkutën, dhe pashë se në rrugët e Kalkutës përshkonin dhimbjet më të mëdha njerëzore.
Ndaj ajo nuk mund të ishte askund në planet që t’ua çonte Zoti shqiptarëve, Zoti e coi atë në Kalkuta, për t’u përballur me vendin më të vështirë, me dhimbje sakrificën njerëzore”. “Kombi shqiptar në këtë 100 vjetor pa Nënë Terezën do ishte jetim, sot është krenar për gruan, Nënën që i dha njerëzimit”.