Gjykatësi kosovar tërhiqet nga Bllaca II, procesi mund të kthehet në fillim
Rasti i njohur si Bllaca II, i paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Supreme të Kosovës, është shtyrë për të nesërmen, pasi gjykatësi vendas, Bexhet Muçiqi, është tërhequr nga paneli.
Muçiqi, anëtar i vetëm vendas në panelin e gjykatësve, të përbërë dhe prej Tore Thommason – kryetar dhe Laura Liguori – anëtare, ka vendosur ta lirojë vetveten nga ky proces, pasi Gjykata e Qarkut në Prishtinë më herët nuk ia kishte aprovuar kërkesën për tërheqje.
“Jemi përpjekur ta thërrasim në telefon, mirëpo nuk është përgjigjur”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Tore Thommason. Ai, këtë situatë, e ka përshkruar si “unike”, gjë që nuk i ka ndodhur asnjëherë më parë gjatë karrierës, shkruan gazeta JNK. Mungesa e njërit nga anëtarët e panelit të gjykatësve pamundëson mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor. Kështu kryetari Thommason është detyruar ta shtyjë shqyrtimin e sotëm, të planifikuar të fillonte nga ora 10. Thommason tha se një gjykatës i tillë meriton ndëshkim disiplinor. “Por, unë nuk jam kompetent për këtë”.
Gjykatësin Muçiqi e ka pasur tërë kohën telefonin e tij ishte i fikur.
Tani, sipas rregulloreve, pritet që organet kompetente si Gjykata e Qarkut në Prishtinë dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor, të hapin rastin dhe të shqyrtojnë arsyet e tërheqjes së gjykatësit.
Në bazë të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në rastet kur ndërrohet trupi gjykues apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, gjykimi duhet të nisë nga fillimi.
Gjatë periudhës kur kryetari i Panelit Gjykues gjykues tregonte arsyet e shtyrjes së gjykimit, në sallën e gjykimit arrinin më vonesë i pandehuri kryesor, Fahredin Gashi, dhe avokati i njërit prej të pandehurve në këtë rast, Haxhi Millaku.
Disa avokatë u interesuan nëse propozimet e tyre të bëra në seancat e kaluara për dëshmitarë, janë pranuar nga gjykata. Mirëpo, kryetari i trupit gjykues deklaroi se ende nuk ka vendosur në lidhje me këtë.
Në seancën e sotme, ishte paraparë të dëshmonte një ekspert mjekësor. Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, me fillim nga ora 10. /Indeksonline/