EULEX në Kosovë, ‘pa kufij’…
Qeveria e Kosovës i ka dhënë statusin e marrëveshjes ndërkombëtare letërkëmbimit të një dite më parë ndërmjet presidentes Atifete Jahjaga dhe baroneshës Catherine Ashton, për mandatin e EULEX-it. Është garantuar mandati dyvjeçar, por është lënë një mundësi vazhdimi përtej.
“Kjo ftesë do ta mbështesë EULEX-in në mandatin aktual deri me 15 qershor 2014”, thuhet në shkresën e Jahjagës për Ashtonin. “Varësisht nga vlerësimi i përbashkët, kjo do të duhej të ishte data e pritshme e përfundimit të misionit EULEX në Kosovë”.
Qeveria ka sponsorizuar të martën edhe një Projektligj për ratifikimin e shkëmbimit të këtyre instrumenteve Kosovë – Bashkim Evropian. Projektligji ratifikon “marrëveshjen ndërkombëtare” për zgjatjen e mandatit të EULEX-it në fushat e parapara në marrëveshje deri më 15 qershor 2014, dhe me përjashtim të Task Forcës Hulumtuese Speciale.
Dokumenti i është proceduar Kuvendit për miratim me së paku 2/3 e deputetëve. Bazuar në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar gazeta, parashihet delegimi i autoritetit për propozimin dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, në përputhje me nenin 20 të Kushtetutës, dhe krijimin e një kuadri për formimin e një sistemi të regjistrimit për stafin e EULEX-it që i lejohet armëmbajtja. Me të njëjtin projektligj garantohet edhe imuniteti i stafit të zyrës dhe personelit të EULEX-it si dhe përfaqësuesit special të BE-së (EURS), në bazë të Ligjit për statusin, imunitetet dhe privilegjet e misioneve diplomatike… dhe praninë ndërkombëtare.
Projektligji ka vetëm tri nene, dhe në të dytin saktësohet fushëveprimi.
“Marrëveshja ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të jetë pjesë përbërëse e këtij ligji (shtojca 1) dhe zbatohet nga Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian”, thuhet në këtë nen.
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, të cilin e ka sponsoruar Qeveria në Kuvend, përmban për aneks letërkëmbimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Jahjaga, dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Ashton. Gazeta ka siguruar faksimilet edhe të këtyre letrave, që Qeveria i konsideron si instrumente të marrëveshjes. Të dyja mbajnë datën e 4 shtatorit.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kjo është marrëveshja e parë bilaterale në nivel të këtillë në mes të Kosovës dhe BE-së. Ai ka shfaqur pritjet që të premten të votohet me dy të tretat në Kuvend, edhe ky letërkëmbim, ditën kur është paraparë të votohen edhe amendamentet kushtetuese që i referohen heqjes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.
Në shkresën e saj, baronesha Ashton, që është edhe zëvendëspresidente e BE-së, ka pranuar ftesën për zgjatje të mandatit të EULEX-it.
“Unë e pranoj ftesën që përmban letra juaj e datës 4 shtator 2012 për ta vazhduar përmbushjen e mandatit të misionit EULEX KOSOVO në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellët”, thuhet në këtë letër. “Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që t’ju shpreh falënderimin tim të sinqertë për përkushtimin tuaj për t’ia ofruar tërë ndihmën e nevojshme misionit të EULEX KOSOVO në kryerjen e detyrave të tij në mënyrë efikase dhe efektive në tërë Kosovën”.
Baronesha ka shkruar se EULEX-i do t’i kryejë detyrat e veta ashtu siç janë përcaktuar në Veprimin e Përbashkët 2008/124/CFSP për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX KOSOVO, i miratuar dhe ndryshuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 4 shkurt 2008. Po kështu, edhe se EULEX-i do t’i ndihmojë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë në forcimin e mëtejmë të një sistemi gjyqësor të pavarur dhe shumetnik, si dhe të një shërbimi shumetnik policor dhe doganor në rrugën e tyre drejt përmbushjes së standardeve evropiane në fushat e tyre përkatëse, njofton koha.
“Kosova ka perspektivë evropiane sikurse i tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Gjatë përmbushjes së mandatit të tij, EULEX-i do të kontribuojë në lehtësimin e përparimit të Kosovës drejt integrimeve të mëtejme në BE”, thuhet në këtë shkresë./standardi.info