Kalo te lënda

‘Dobrodošli u Crnoj Gori’, midis Prishtinës

Vështirë të ketë ndonjë vend në botë, i cili do të toleronte valët e operatorëve mobil të depërtonin gati në skaj të territorit të tij, siç vazhdon të ndodh në Kosovë. Këtu, Telenori malazez jo pak “shkepë” mesazhe tek klientët e operatoreve vendas, “Dobrodošli u Crnoj Gori” (mire se vini në Mal të Zi) dhe atë me shumë se 100 kilometra nga kufiri Kosovë-Mali i Zi. Për dëmet që u shkaktohen fajin s’e pranon askush, madje as Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit (ART), institucion ky i pavarur që është përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorëve.

Në ART thonë se janë thjeshtë mesazhe edhe pse nuk mund të garantojnë 100 përqind se nuk ndodh edhe të komunikohet përmes valëve të tyre, që i bie të flasësh midis Prishtinës, si të ishe në Podgoricë e që përkthyer në harxhim i bie që edhe nëse ju thërret dikush kredia juaj, “tretet” sikur ju të thërrisnit nga jashtë Kosovës.

Shefi i departamentit për menaxhim të frekuencave në ART, Visar Halimi pohon për KosovaPress se qytetarët nuk janë ankuar tek ata, por tek operatorët, e pas ankesave të këtyre të fundit ART-ja po mundohet të arrijë marrëveshje me shtete e tjera. Halimi këmbëngul që ata nuk janë operatorë ilegal, por thjeshtë tejkalojnë shkallën e frekuencave.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi pasur deri tash ndërhyrje, por nuk kemi pasur ankesa të mëdha të popullatës. Ndoshta popullata ankohet tek operatori dhe ne nga operatorët tanë në momente të caktuara ose në kanale të ndryshme frekuencore, kemi tejkalim të ndërhyrjeve të fuqisë dhe në të cilën ne jemi duke punuar dhe kemi punuar edhe më parë në koordinimin e këtyre frekuencave me Autoritetet Rregullatorë të shteteve fqinje. Me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e  Zi jemi duke komunikuar dhe jemi në rrugë të mbarë për të rregulluar këtë problem dhe kemi përpiluar marrëveshje që janë gati për finalizim. Por në të vërtetë edhe Rregullatorët e shteteve tjera e kanë një vonesë në përgjigjet tona sepse konfiguracioni i Kosovës, ndikon që për shkak se është reliev i rrafshët posaçërisht me Malin e Zi dhe Shqipërinë ndërhyrjet e operatorëve në shtete fqinje janë më të shpeshta se të operatorëve tanë në shtete e tyre”, ka thënë ai.

Halimi i pyetur se kush duhet të dënohet për këtë tejkalim frekuencave, thotë se derisa shtete nuk kanë marrëveshje nga asnjëra palë nuk mund të kërkohet përgjegjësi.

“Për ata që i tejkalojnë ne duhet të arrijmë marrëveshje. Rregullatorët bëjnë presione që operatorët e tyre t’i ulin fuqitë dhe t’i orientojnë antenat e tyre në drejtime të tjera. Këto marrëveshje, këto njoftimet tona apo kontaktet. Ne duhet të krijojmë marrëveshje teknike për harmonizim kanal për kanal frekuencor të cilët po them jemi në pjesën përfundimtare me Shqipërinë, Maqedoninë dhe me Malin e Zi”, ka thënë ai.

ART-ja janë këmbëngulëse se mund të pranohet sinjali po jo edhe realizimi i thirrjeve, por nuk përjashton mundësinë që edhe të ndodh thirrja. “Mund të pranojë sinjalin në praninë por jo në realizim të thirrjeve. Ne nuk e kemi bërë matjen adekuate ndoshta, por unë e di se mundësitë e komunikimit në rrjetin Telenor mund të pranojë ndonjë mesazh për shkak të fuqisë më të madhe të lejuar, por komunikim i thirrjes nuk bëhet dështon. Mund të ndodh vetëm në ndonjë pozitë shumë të rrallë”, tha ai.

Megjithatë, në adresë të Kosovapress-it ka pasur disa raste kur qytetarët e Kosovës janë ankuar  t’u ketë ndodhur që pa e ditur të pranojnë thirrje nëpërmjet operatorëve fqinjë. Këtë e kanë kuptuar më vonë, pasi kanë mësuar që kredia e tyre t’u ketë mbetur pas asnjë cent. Ata kanë deklaruar se nuk kanë ditur se as kujt t’i ankohen për dëmin që u është shkaktuar.

Halimi pranon se konsumatorët mund të dëmtohen në disa raste, e përderisa këshillon për kujdes nuk e pranon përgjegjësinë e ART-së, e cila është e thirrur të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës, në këtë aspekt. “Është e vërtetë se mund të dëmtohen sepse ndërhyrja e valëve në hapësira të caktuara gjeografike, ku depërtimi i valëve në hapësira ku është direkt me antenat që kanë transmetuar i kanë në kufi, mund të arrijë fuqia më e lartë në atë moment mund të hyjë. Por, aparatet telefonik kanë mundësinë e zgjedhjes së operatorit manual. Nëse nuk e lënë në mënyrë automatike mund t’i shmangen interferencave, ndoshta mund të jetë nuk po e shmangi se nuk duhet të ekzistojnë këto, por megjithatë në bazë të rekomandimeve, konsumatori duhet me qenë më i kujdesshëm që nëse hynë në zona të afërta kufitare të shohin për ta vendosur në manual”, theksoi Halimi.

Ka disa kohë që konsumatorët e operatorëve legal të vendit, pranojë mesazhe në mes të Kosovës nga operatorët telefonik të shteteve fqinje, duke u njoftuar se janë në frekuencat e tyre. Kjo konsiderohet normale të ndodh rreth kufijve por jo edhe në thellësi të territorit të një vendi. /Telegrafi/

Lini një koment