Kalo te lënda

Sindikalistët kundër privatizimit të PTK-së

Përfaqësuesit e organizatave sindikale dhe të atyre joqeveritare kanë reaguar, të martën, kundër shpalljes së tenderit për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Njëzet e shtatë organizata joqeveritare dhe sindikata të punëtorëve kanë nënshkruar një peticion pak ditë para se Qeveria të shpallë zyrtarisht të hapur garën për privatizimin e PTK-së.

Ndonëse është tejkaluar afati i paraparë për shpalljen e këtij tenderi ashtu siç kërkohej në marrëveshjen e FMN-së, zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kanë theksuar se brenda kësaj jave, Komisioni Qeveritar i Privatizimit do të shpallë tenderin për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Sipas marrëveshjes “Stand-By” të arritur ndërmjet Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, kërkohej që tenderi i shitjes së pjesës më të madhe të aksioneve në PTK të hapej më së largu deri në fund të gushtit.

“Brenda kësaj jave pritet që të shpallet tenderi për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së”, ka thënë për gazetën Koha Ditore, Gëzim Baxhaku, këshilltar politik i ministrit Besim Beqaj.

Ani pse kanë përfunduar procedurat disamujore për kualifikimin e kompanive në rrethin e ngushtë për blerjen e PTK-së, organizatat joqeveritare kanë zgjedhur që dy-tri ditë para shpalljes përfundimtare të tenderit të shfaqin pakënaqësinë e tyre. Në deklaratën e nënshkrimit të peticionit nga 27 sosh është thënë se organizatat pjesëmarrëse në këtë nismë shprehin kurajën të kundërshtojnë këtë procedurë tenderuese.

“Kjo gjendje e rëndë, ndër të tjera, vjen edhe si pasojë e procesit të privatizimit, proces ky që ka rezultuar me pasoja fatale për vendin dhe qytetarët. Mbi 70 mijë punëtorë që kanë kontribuar me dekada të tëra në ndërmarrjet prodhuese të Kosovës, si pasojë e këtij procesi të privatizimit sot enden rrugëve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të përcjellë nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Sipas shkresës, procesi i privatizimit i kryer në shumicën e rasteve pa kurrfarë kushtëzimesh për vazhdimin e aktivitetit të mëparshëm prodhues e punësues, “e ka deindustrializuar vendin”.

“Privatizimi i deritanishëm e ka ndaluar prodhimin dhe ka prodhuar papunësi. Duke u nisur nga zhvillimet e deritashme, janë të gjitha arsyet për t’u shqetësuar se edhe procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike si:  PTK,  Distribucioni i KEK – ut dhe likuidimi i “Trepçës”, i nisur nga Qeveria e Kosovës, do të rezultojë me pasoja shkatërruese për ekonominë. Këto ndërmarrje publike janë asete strategjike për vendin dhe shoqërinë”, thuhet në deklaratë. Sipas së njëjtës shkresë, kalimi i monopoleve në duar të privatëve sjell rrezik dhe abuzim mbi qytetarët dhe shtetin.

“Monopoli privat në shpërndarjen e energjisë shkakton ngritjen e çmimit të këtij artikulli e si pasojë e kësaj edhe të artikujve të tjerë bazik për jetë. Privatizimi i PTK-së i kushton Kosovës me humbjen e mbi 100 milionë eurove në vit, mjete këto që do të mund të shfrytëzoheshin për investime në hapjen e vendeve të reja të punës e ndihmë për kategoritë e ndryshme sociale që aq shumë kanë nevojë për dorën solidare të shtetit”, thuhet më tej në të njëjtin deklarim. 27 organizatat që njëherësh e shohin vetën nën ombrellën e BSPK-së sa i përkeq kundërshtimit të shitjes së aseteve publike, kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të procesit të privatizimit të PTK-së dhe distribucionit të KEK-ut, si dhe likuidimit të “Trepçës”./Indeksonline/

Lini një koment