Kalo te lënda

Jetojmë në hapësirën e shteteve të papërfunduara!

Klasa politike kosovare nuk është gati pothuajse për asgjë. Është e gatshme vetëm për avancimin e përfitimeve të veta qoftë politike, qoftë financiare. Kështu ka deklaruar publicisti Veton Surroi, në lidhje me fillimin e bisedimeve të ardhshme me Serbinë, në një intervistë për Ilva Tare në emisionin Tonight, raporton Tema.

“Për shembull shikoni mbikëqyrjen e pavarësisë. Kosova duhet të kishte zgjidhur në tre vitet e fundit çështjen e veriut. Momentin e heqjes së mbikëqyrjes së pavarësisë prania ndërkombëtare në Kosovë thotë, tani jeni të pavarur tani zgjidheni ju çështjen e veriut ndërkohë që në 12 vitet e kaluara është marrë faktori ndërkombëtar me veriun”, ka thënë Surroi.

“Tani është krijuar një gjendje në të cilën në mënyrë shtesë pushteti i Kosovës, duhet të merret me veriun pa e pasur idenë sesi ta bëjë ketë. Kjo qeveri duhet të hyjë në bisedime me Serbinë pasi ka bërë gabime serioze, në atë që është quajtur dialog teknik me Beogradin, në të cilën me kohë ua kemi tërhequr vërejtjen sepse nuk ka të bëjë me kurrfarë dialogu teknik, pasi bisedimet mbeten politike derisa ne e kemi të pambyllur konfliktin me Serbinë”.

“Veriu tashmë prej vitesh ka marrë një lloj vetëadministrimi, i cili pret përligjen e vet juridike dhe ky është një problem i madh, për funksionimin e shtetit dhe jo funksionaliteti i tashëm i Kosovës po pret që të përligjet me nënshkrimin e Kosovës në një proces të ardhshëm negociator”.

“ Veprimi i qeverisë së Kosovës ka qenë i tillë, i krijimit të administrimit të dyfishtë në Kosovë. Kosova ka pranuar në negociatat në Bruksel që librat ku mbahet evidencat kadastriale dhe evidencat civile të mbërrin në origjinal në Beograd ndërsa kopjet i merr Prishtina. Nga aspekti juridik Kosova ka pranuar që përgjesinë juridike për evidencën kadastriale dhe juridike ta ndajë me Beogradin. Nëse mund ta bëjë për libra kadastrialë s’ka arsye që mund ta pengojë për çështje të administrimit në veri dhe çdo ndërmjetës ndërkombëtar që hyn thotë që ju keni pranuar ketë për libra kadastrial, tani duhet të pranoni që veriun do ta administroni bashkë. Ata do të bëjnë një pjesë, ju do të bëni një pjesë dhe do ta sajojmë disi”.

“Ne jetojmë në hapësirën e shteteve të papërfunduara. Në ketë hapësirë janë Bosnja Hercegovina, është shtet i papërfunduar, nuk ka identitet dhe ka gjasa të zhbëhet. Shtet i papërfunduar është Kosova, nuk e administron një pjesë të territorit të vet dhe do ta ketë të vështirë ta administrojë nëse vazhdon me këtë qeverisje. Në këtë hapësirë të papërfunduar është Serbia sepse nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk e njeh fundin e territorit të saj. Në ketë hapësirë është Maqedonia sepse nuk njihet nga Greqia me identitetin e vet dhe ka telashe të mëdha në krijimin e identitetit kushtetues edhe brenda vendit. Është e vështirë të binden shqiptarët se janë në shtetin e Aleksandrit të Madh dhe të themi stërpikat e këtij procesi i ndjen edhe Shqipëria për shkak të lidhjes etnike me këtë rajon. Andaj problem esencial në 10 vitet e ardhshme do të jetë procesi i përfundimit të shtetndërtimit të këtyre shteteve, vënies së një pike përfundimtare historike”, ka thënë ndër të tjera Surroi. /Telegrafi/

……………………………………………………………………………………………………………………

Më mirë jep dorëheqje dhe kërko votën si kandidate e PDK-së”

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, do të bënte mirë nëse do të jepte dorëheqjen dhe të deklarohej si kandidate presidenciale e Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu është shprehur publicisti Veton Surroi, në një intervistë në Tv Ora News, në Tiranë.

Surroi ka folur për shkëmbimin e tij me ish-ambasadorin amerikan në Kosovë, Christopher Dell, për qëndrimin e tij për zgjedhjen president të Behgjet Pacollit, ndërsa ka dhënë edhe vlerësim për kryeministrin Thaçi dhe deklarimet e tij në lidhje me kredibilitetin që buron nga zgjedhjet, sepse ai është në krye të një organizate, e cila është marrë me vjedhje industriale të votës”.

Surroi po ashtu ka folur për veriun e Kosovës, për dialogun me Serbinë, për disfatën zgjedhore të partisë së tij të dikurshme etj.

Publicisti Surroi, duke folur për polemikën e tij që kishte pasur me ambasadorin Dell, theksoi se polimikën ia kishte nisur I pari Ambasadori Dell, duke thënë që e nisi pa arsye.

“Ai më përmendi në një kontekst negative, madje përmendi një ngjarje, e cila në kanalet diplomatike zakonisht mbetet e heshtur, mbetet pjesë e një konfidencialiteti diplomatik. Ka qenë një darkë në të cilën ai më ka ftuar së bashku me kryeministrin Thaçi”, ka thënë Surroi.

Surroi ka vazhduar, duket thënë që presidentja e tanishme duhet të japë dorëheqje.

“Mandati I zonjës Jahjaga ka qenë që të rrinte në atë post deri sat ë krijohej baza e ndryshimeve të reja kushtetuese. Drafti është gati dhe ai mund të hyjë në fuqi në momentin ku fillimisht zonja Jahjaga jep dorëheqjen dhe pastaj partitë politike e votojnë këtë proces dhe e hapin çështjen e presidentit për votë popullore. E mira e së mirës ka qenë që në një proces, për shembull sot, zonja Jahjaga meqenëse ka përkrahjen e PDK-së, ta tërhiqte këmbën e hairit dhe tu thoshte që unë po jap dorëheqje dhe po bëhem kandidate e PDK-së”, ka thënë Surroi./Indeksonline/

Lini një koment