Dubravë: Të burgosurit në grevë
Të burgosurit e shtatë pavijoneve të Burgut të Dubravës kanë hyrë të martën në grevë urie, duke kërkuar që në kuadër të ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës të futet institucioni i Institutit të Amnistisë.
Njëri nga të burgosurit, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri në gazetë, ka thënë nëpërmjet telefonit se në këtë grevë janë futur për të kërkuar që të jetësohet premtimi i Qeverisë së Kosovës për futjen e Institutit të Amnistisë në Kushtetutën e re të vendit.
“Kërkesa jonë është që në ndryshimet kushtetuese të hyjë Instituti i Amnistisë. Këtë e kemi pasur garancion nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Deri tash neve na është garantuar me ndryshimet kushtetuese se do ta fusin, por tash nuk e dimë nëse e kanë futur ose jo”, ka thënë ai.
Sipas tij, në grevë kanë hyrë të gjithë të burgosurit e pavijonit një, dy, tre, katër, pesë, shtatë dhe tetë, ndërsa ata të pavijonit gjashtë do të futen sot (e mërkurë), ngase të martën kanë qenë jashtë objektit të burgut, meqenëse, siç thotë ai, të burgosurit e pavijonit gjashtë gjatë ditës angazhohen në punë të ndryshme jashtë burgut.
“Ne do ta vazhdojmë grevën, por nëse deri më 10 shtator nuk bëhet asgjë, ne do ta bëjmë hauz këtu. Do ta shohin vetë këta (Ministria e Drejtësisë) se çfarë do të bëjmë, sepse po na gënjejnë shumë, na mbytën”, është shprehur ai, duke pohuar se secili pavijon i ka nga njëqindegjashtëdhjetë të burgosur.
Por drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha, i ka thënë “Zërit” se në mesin e grevistëve ka edhe të atillë që në grevë janë futur jo për çështjen e amnistisë, por për shkak të respektimit të pesë ish-të burgosurve, të cilët dhjetë vjet më parë, pas protestës i patën ndezur shtretërit e tyre, ndërsa më vonë u patën djegur prapa grilave.
“Tash për tash nuk mund të dihet saktë nëse kemi të bëjmë me grevë për shkak të Ligjit për Amnisti apo për shkak të dhjetëvjetorit të vdekjes së të burgosurve në Dubravë, për ç’gjë disa grevistë të pavijonit të tretë e kanë refuzuar të hënën ushqimin ashtu siç bëjnë në çdo përvjetor. Por e tëra do të dihet nesër pas kohës së drekës, kur edhe e dimë saktë se kush e ka pranuar ushqimin dhe kush e ka refuzuar”, ka thënë ai.
E ndërkaq, nëpërmjet një njoftimi për medie, drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë thënë se ky dikaster po angazhohet për vendosjen e amnistisë në kategori kushtetuese.
“Ministria e Drejtësisë vazhdimisht është duke punuar që Instituti i Amnistisë të përfshihet si kategori kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, mënyrë kjo, e cila do t’i hapë rrugë hartimit të Ligjit për Amnisti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Sipas këtij njoftimi, në qershor të këtij viti ministri Kuçi ka propozuar në qeveri amendamentimin e Kushtetutës, ku njëra nga pikat ka qenë amnistia, gjë për të cilën ai i ka shkruar letër presidentes Atifete Jahjaga, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi dhe Komisionit për Amendamentimin e Kushtetutës, duke kërkuar që në plotësimet e Kushtetutës të përfshihet edhe amnistia./standardi.info