‘Dashuria’ për EULEX-in vazhdon
Nuk pritet ndryshim i madh në qasjen e re të misionit evropian për sundimin e ligjit EULEX në Kosovë.
Të paktën kështu pretendon shoqëria civile, e cila vazhdimin e mandatit të këtij misioni deri më 15 korrik 2014 e vlerëson si një lajm të keq për pavarësinë e Kosovës.
Avni Zogiani nga organizata “Çohu” thotë se EULEX-it i kanë munguar rezultatet për më shumë se tre vjet të operimit të tij në Kosovë, dhe sipas tij, fakt ky që përveç tjerash dëshmon se një mision i tillë nuk i duhet Kosovës.
Deputeti Armend Zemaj, thotë se vazhdimi i mandatit të EULEX, është shumë i domosdoshëm. “Prania e EULEX-it në Kosovë është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për faktin se duhet një shtrirje e autoriteteve të Kosovës në veri, të cilat fillimisht duhet të vendosen nga ana e autoriteteve evropiane. Fuqizimi i institucioneve të Kosovës duhet të forcohet falë prezencës së EULEX-it, i cili mund të bartë më pas përgjegjësinë tek institucionet tona”, thekson Zemaj.
Shpend Kursani nga instituti KIPRED mendon se paraprakisht institucionet e Kosovës do të duhej të vlerësonin punën e deritashme të këtij misioni, e pastaj të bënin marrëveshje, e jo letërkëmbime me BE-në për zgjatjen e mandatit të EULEX-it. Ndërsa, partitë opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, e kanë dhënë pëlqimin e tyre për vazhdimin e mandatit të këtij misioni, kurse kundër është deklaruar “Vetëvendosja”. EULEX-i do të jetë i vetmi mision ndërkombëtar në Kosovë, me fuqi ekzekutive në gjyqësi, prokurori dhe polici. Ndërkaq, atij i kërkohet të luajë një rol domethënës në ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqësorit dhe prokurorisë./standardi.info