Kalo te lënda

“Bukoshi akuzohet se ka ndihmuar Tolajn”

Në seancën e sotme në rastin Tolaj, prokurorja e rastit ka paraqitur fjalën e saj, pasi që në seancën e kaluar të gjithë avokatët mbrojtës e kanë thënë fjalën e tyre, duke i kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës ndaj klientëve të tyre.

Prokurorja duke folur për aktakuzën ndaj Bujar Bukoshit, ka thënë se ai nuk akuzohet për raporte të rreme, por akuzohet se e ka ndihmuar Tolajn për ta dëmtuar kompaninë farmaceutike “Jona Med”.

Siq raporton Radio Televizioni 21, prokurorja ka thënë se kur ministri i Shëndetësisë Alush Gashi e kishte larguar Tolajn nga pozita e tij, Jona Med i kishte fituar disa kontrata nga Ministria e Shëndetësisë. Kurse, sipas saj, me ardhjen e Tolajt si këshilltar i Bukoshit, “Jona Med” nuk kishte fituar asnjë kontratë nga MSh-ja.

Sa i përket Tolajt, prokurorja ka thënë se kur është arrestuar ai, në xhirollogarinë e tij janë gjetur 250 mijë euro, si dhe disa të ardhura që nuk u dihet origjina, e të cilat, sipas saj, Tolaj i ka shpenzuar brenda një viti.

Ajo ka shtuar më tej se nëse konfirmohet aktakuza, ajo do të kërkojë që të gjitha xhirollogaritë dhe pasuria e Tolajt të ngrihen, sepse, sipas saj, buxhetit të Kosovës duhet t’i kthehen 1.5 milion euro.

Më tej në seancë fjalën e mori mbrojtja e palës së dëmtuar “Jona Med”, ku avokati i saj Arianit Koci paraqitjen e tij, e nisi me thënien: “Kush ia hap gropën tjetrit, bie vetë në të”.

Ai më tej ka thënë se ndaj “Jona Med-it” është zhvilluar një gjueti e shtrigave. Kjo kompani, sipas tij, është sulmuar disa herë edhe përmes mediave, madje është cilësuar si plaçkitëse e buxhetit të Kosovës./Indeksonline/

Lini një koment