Kalo te lënda

Berisha: Rama fushatë edhe me fatkeqësitë natyrore

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Sali Berisha ka folur për herë të parë për situatën e krijuar nga zjarret. Duke bërë të ditur se deri tani janë djegur 4 mijë hektarë kullota, ai u shpreh se “rëndësi ka që nuk kemi viktima”, raporton shekulli.

“Në vende të tjera, vende shuam të fuqishme janë regjistruar me dhjetëra e dhjetëra viktima. Janë prekur disa banesa por nuk shumë i kufizuar. Në vendet e Mesdheut numri i banesave të djegura është shumë më i madh”, tha kryeministri duke u shpreh mirënjohje qeverive të Malit të Zi, Turqisë, Sllovenisë dhe Italisë për ndihmën e dhënë.

 

Sipas Berishës në 99.5% të zjarreve ato janë vepër e ligë dhe për këtë arsye ka pasur arrestime por problemi tha ai është tek prokuroria dhe Kodi Penal, pasi zjarrvënia sipas tij duhet konsideruar krim i rëndë.

 

“Janë arrestuar mbi 70 persona të dyshuar për implikime. Një banor nga Golemi i Gjirokastrës më dërgonte dje një mesazh: “Na dogji thoshte filani, e arrestoi policia e liroi prokuroria në gjendje të lirë”. E para njëherë, krimet e zjarrit janë krime të rëndë pavarësisht se në atë ligjin tonë… dhe ne duhet ta shqyrtojmë z. Halimi, ky është krimi i rëndë por për fat të keq ne e cilësojmë vetëm atë të organizuar. Ky është solitar por është tejet i rëndë dhe kërcënues”.

 

Në fund ai lëshoi akuza edhe për opozitën. Berisha tha se Partisë Socialiste në çdo fatkeqësi që ka kaluar vendi është përpjekur të përfitojë kapital politik. “Traditë unike në Evropë, në çdo lloj fatkeqësie natyrore mendon se do nxjerrë kapital politik duke bërtitur dhe po të vini re në asnjë nga deklaratat e panumërta nuk është bërë qofte edhe njëherë thirrje për të denoncuar zjarrvënien, nuk është bërë thirrje për të mbështetur zjarrfikësit”.

 

Këtë ai e ilustroi edhe me një rast specifik: “Një eksponent i PS do t’i telefonate me shumë të drejtë ministrit për të kërkuar ndihmë dhe ministri i thotë se ata që janë arrestuar janë militantë tuja të thekur. telefoni u fik dhe nuk u mor më. Një denoncim për zjarrvënësit duhet bërë”, deklaroi kryeministri./standardi/

Lini një koment