Kalo te lënda

Balfour: Njohja e Kosovës realitet

Njohja e Kosovës nuk mund të jetë kusht formal për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por kjo do të jetë realitet politik, sepse është vështirë të pritet që BE-ja në radhët e veta të pranojë edhe një vend të ndarë, mendon analistja e Qendrës së Brukselit për Politikë Evropiane, Rosa Balfour.

Sa i përket deklaratës së Kryetarit të Parlamentit Evropian Martin Schulz se është fare e qartë që në “fund të rrugës kusht i Serbisë për t’u pranuar në BE do të jetë njohja e Kosovës”, Balfour tha për REL se Schulz mund të flasë më lirisht sesa zyrtarët evropianë sepse nuk ndërmjetëson në dialogun e Serbisë dhe Kosovës.

 

“Ndonëse Martin Schulz ishte aq eksplicit për të mos qenë politikanët e tjerë, ajo që tha nuk është në të vërtetë larg nga gjendja e gjërave që do të lindin kur çështja e hyrjes së Serbisë në BE të bëhet realitet aktual, që do të thotë në horizontin e disa viteve të ardhshme”, tha Balfour.

 

Po ashtu Balfour ka thënë se kërkesa që Serbia të njohë Kosovën nuk mund të jetë politikë zyrtare e BE-së por ka shtuar se do të jetë realitet politik që Bashkimi Evropian nuk do të jetë i prirur që edhe një vend të ndarë ta pranojë në radhët e veta.

 

Analistja e Brukselit ka theksuar se anëtarësimi në BE nuk duhet të jetë motiv primar i Serbisë që të zgjidhë problemin me Kosovën sepse zgjidhja e kësaj çështjeje është në interes të Serbisë.

Lini një koment