Kalo te lënda

Ankohet ‘Termokosi”, kërkon para

Problemet dhe ankesat e “Termokosit” me mbledhjen e borxheve por edhe ankesat e problemet e prishtinasve me ngrohjen nuk kanë të sosur. Si zakonisht ngrohja në kryeqytet duhet të fillojë më 15 tetor, por para ngrohjes prishtinasve në derë do t’u trokasin inkasantët e ngrohtores.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu, thotë se ekipet e inkasantëve do të dalin derë më derë për të kërkuar borxhet e grumbulluara me vite. Që nuk janë edhe pak. Madje kapin shifrën rreth 17 milionë euro, prej të cilave 14 milionë janë borxhe të subjekteve banesore, ndërsa mbi dy milionë u takojnë subjekteve afariste.

 

Sipas saj, nuk do të ketë falje për askë. Që nga paslufta, shton ajo, afro 12.500 konsumatorë i kanë borxh “Termokosit” dhe atë hiç më pak se rreth 17 milionë euro, pronarët e banesave por edhe pronarët e hapësirave afariste që ngrohen përmes “Termokosit”.

 

Ajo shtoi se nëse konsumatorët sërish nuk i paguajnë borxhet, atëherë ngrohtorja do të shkojë me hapin e dytë, paditjen nëpër gjykata për të kërkuar borxhin që kanë ata ndaj “Termokosit”.

 

Në kuadër të këtij aksioni, i cili do të fillojë pas pak ditësh, kah mesi i shtatorit, zëdhënësja Uka tha se do të shkyçen të gjitha subjektet banesore, që nuk kanë arritur ta paguajnë as 35 për qind të borxhit, ndërsa subjektet afariste do të shkyçen tek ato raste kur nuk kanë paguar as 70 për qind të borxheve. Zëdhënësja Uka paralajmëroi se nëse borxhet nuk paguhen, përkatësisht nëse nuk inkasohen mjetet e duhura, sezoni i ngrohjes do të jetë i vështirë, ashtu si ka pasur vështirësi të theksuara edhe viteve të kaluara.

 

Duke pasur parasysh koston e lartë për prodhimin e energjisë ngrohëse, përkatësisht çmimin e lartë të mazutit që përdor për ngrohje “Termokosi” dhe në anën tjetër nëse konsumatorët nuk i kryejnë obligimet e tyre, probleme mund të ketë edhe këtë sezon, ka paralajmëruar Uka. Këtyre problemeve me ngrohjen e kryeqytetit, sipas saj, do t’u vijë fundi kur të fillojë realizimi i projektit të kogjenerimit me të cilin uji i ngrohtë nga Termocentrali Kosova B do të sillet në “Termokos”. Qytetarët shprehen të zhgënjyer me ngrohjen e dobët viteve të fundit.

 

“Më shumë nuk kam sesa kam pasur ngrohje. Nëse sërish nuk ka ngrohje, normalisht se nuk do të paguaj asnjë faturë”, tha Ismet Latifi nga Prishtina. E kryetari i KMDLNJ-së, Bexhet Shala, thotë se as “Termokosi”, as ujësjellësi, as KEK-u, etj, nuk mund të bëjnë shkyçje kolektive.

 

“Mund të bëjnë vetëm shkyqje individuale, në mënyrë që ai që paguan ngrohjen, rrymën, etj, të mos e pësojë”, thotë Shala. Ai gjithashtu shton se ndërmarrjet duhet të faturojnë vetëm aq sa ofrojnë shërbime, e jo kuturu./standardi.info

Lini një koment