Të vendosur për heqjen e imunitetit
Kryeministri Berisha mbajti një fjalë në Forumin e BLED-it në Slloveni, ku po diskutohen çështje të një rëndësie evropiane e globale dhe natyrisht, për rajonin e Evropës Juglindore. Kreu i qeverisë shqiptare ritheksoi angazhimin e Shqipërisë në përmbushjen e reformave që kërkon Bashkimi Europian, ndër të cilat edhe miratimin e nismës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve shqiptarë. Pavarësisht përpjekjeve për ta ngadalësuar këtë procës, kryeministri përsëriti vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme ligji apo vendimi tjetër të nevojshme që vendi ynë të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së.
“Qeveria shqiptare e konsideron anëtarësimin e Shqipërisë në BE si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë, pasi në bindjen time më të thellë ky është interesi më i mirë i qytetarëve shqipatrë. Disa probleme të brendshme të bazuara në kalkulime, për mendimin tim të dështuara politike, kanë shkaktuar ngadalësimin e këtij procesi. Së fundmi, nje frymë bashkëpunimi bëri të mundur miratimin me konsensus të reformës zgjedhore dhe te disa ligjeve tjera të rëndësishme në procesin e integrimit. Një debat po zhvillohet mbi imunitetin. Jam thellësisht i bindur se vendi im duhet ta heqë imunitetin dhe kjo duhet të ndodhë. Ne po përpiqemi të punojmë që ta heqim atë në Parlament. Por në rast se kjo nuk do të jetë e mundur, shqiptarët do të kenë të drejtën të shprehin mendimin e tyre mbi këtë cështje fondamentale. Gjej rastin të përsëris vullnetin e qeverisë shqiptare për miratimin e çdo mase, çdo reforme ligji apo vendimi tjetër të nevojshme që vendi ynë të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së”- deklaroi shefi i qeverisë shqiptare.