Shpërblen kundërligjshëm “Ragip Zhabën”
Ekrem Rexhës si duket nuk i ka bërë hair burgu prej një muaji, të cilin e mbajti për dyshime për dallavere me tenderë.
Shefi i Prokurimit të Prishtinës, Ekrem Rexha ka shkelur së fundi kritere që vetë i ka përcaktuar në tenderin “Ndërtimi i rrethrrotullimit në dalje të Prishtinës -drejtimi i Veternikut,pjesa e pare”, në të cilin është shpërblyer konzorciumi “OLTI TRASING & BENI COM”, tender ky që peshon mbi 2.1 milionë euro.
Por, për këndë e shkeli ligjin kësaj here?
Prokurimi i Prishtinës kësaj here ka shkelur kriteret e përcaktuara vetë për biznesmenin Ragip Mustafa, i njohur edhe si “Ragip Zhaba”. Këtij biznesmeni , me dorën e vetë, si shef i prokurimit, Ekrem Rexha ia ka nënshkruar që nga viti 2009, mbi 20 tenderë publik.
Indeksonline ka gjetur se në njoftimin për këtë tender ishte përcaktuar që kompanitë që kanë projekte me Komunën e Prishtinës, e të cilat nuk i kanë kryer së paku 50 % të punëve deri te data e ofertimit, nuk mund të shpërblehen.
“…vërejtje: OE që kanë kontrata me Komunën e Prishtinës e të cilat nuk I kanë realizuar së paku 50 % nga vlera e kontraktuar deri në ditën e ofertimit dhe kanë pasur vonesa në përmbushjen e planit dinamik për ato kontrata, nuk do të shpërblehen edhe nëse I plotësojnë kriteret tjera. Konstatimi merret në ditën e mbylljes së këtij tenderi”, thuhet në këtë dokument, te pjesa e përcaktimit të planit dinamik të punëve.

Por për çudi të dy përfituesit e këtij tenderi kanë punë të pa kryera.
“Olti Trasing” ka ende të papërfunduar kontratën “Ali Kelmendi” në Barilevë, projekt ky që peshon mbi 750 mijë euro.
Indeksonline sjell foto nga vend-punishtja, të cilat dëshmojnë se punët janë krejt në fazën fillestare, e që bie në kundërshtim me kriterin vendosur nga Prokurimi i Prishtinës, që e udhëheq Ekrem Rexha.
As kompania tjetër, pronari i së cilës është financues zyrtarë i Partisë së Kryeministri Hashim Thaçi, anëtare e konzorciumit fitues të këtij tenderi nuk e plotëson kriterin.
Kompania “Beni Com”, pronë e Ismet Konushevci është shpërblyer gjatë qershorit të këtij viti me kontratën për asfaltimin e rrugëve “Eqrem Qabej”, “Armend Daci” dhe “Veterrniku”, që peshon mbi 160 mijë euro.
Edhe për këtë tender Indeksonline ka dalë në terren dhe ka parë se punët nuk janë përfunduar në masën prej 50 %, siç e kërkon kriteri i vendosur nga vetë Prokurimi i Prishtinës.
Kjo mund të shihet edhe nga këto fotografi.
Indeksonline ka kontaktuar edhe Komunën Prishtinës. Zyra për Informim e këtij institucioni mendon që tenderi ka shkuar “krejt OK”.
“Komuna e Prishtinës, ketë tender e ka dhëne duke u bazuar dhe duke e respektuar ne mënyrë të 100 për qind ligjit për prokurimin publik”, ka thënë për Indeksonline, Asdren Osaj, Shef i Zyrës për Informim në komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga Krye-opozitari, Isa Mustafa, njëherit edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Ragip Zhaba”, i përkëdheluri i Prokurimit të Prishtinës
Në një kërkim fillestar del që biznesmeni nga Podujeva, Ragip Mustafa, i njohur si “Ragip Zhaba”, nga prokurimi i Prishtinës që nga viti 2009 ka marr mbi 20 tenderë. Këta tenderë ia ka nënshkruar me dorën e tij Ekrem Rexha.
Për këtë komani shpërblimet vazhdojnë. Një ditë më herët ajo u shpërblye, edhe nduke i shkelur kriteret e vendosura nga vetë Zyra e Prokurimit për tenderin “Ndërtimi i rrethrrotullimit në dalje të Prishtinës -drejtimi i Veternikut,pjesa e pare”, “Ragip Zhabën”, e kishin gëzuar edhe me një tenderë tjetër.
Më 30 gusht të këtij viti Biznesmenit Mustafa Komuna e Prishtinës ia dha edhe tenderin për ndërtimin e ambulancës në Barilevë, projekt ky në vlerë prej mbi 120 mijë eurosh.
Ky biznesmen vazhdon të marrë tenderë edhe pse është në listën e ndërtuesve ilegal.
Emri i Mustafёs gjendet në listën personave që kërkuan tu legalizohen objektet, nismë kjo e Komunë së Prishtinës e cila është kontestuar nga një OJQ si e kundërligjshme. Ky objekt ilegal gjendet në lagjen “Ulpiana”, Rruga Imzot Nikë Prela. /Indeksonline/