Kalo te lënda

SHBA vazhdon ta përkrah Kosovën

Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur të martën në takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson. Ministri Hamza duke shprehur kënaqësinë për takimin  e parë njohës me  ambasadoren Jacobson,  në emër të Ministrisë së Financave falënderoi  Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin dhe për ndihmën e gjithanshme në zhvillimin e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve,  e në veçanti Ministrinë e Financave.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se në vazhdimësi kanë pasur mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane dhe këshilltarëve nga Departamenti i Thesarit amerikan dhe USAID-i.

“Biseduam për relacionet e Kosovës me institucionet financiare ndërkombëtare në këtë rast edhe me FMN-në, për projektet e rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës që janë në zhvillim e sipër, duke  përfshirë edhe autostradën 7  por edhe projektet që pritet të vijnë në periudhën e ardhshme, biseduam për krijimin e ambientit të përshtatshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve, sidomos në sektorin privat, dhe ne si Qeveri jemi të përkushtuar për rritjen ekonomike, jemi të përcaktuar që bartës i kësaj rritje dhe zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat, ndërsa ne të krijojmë kushte duke ofruar ligje të mira dhe duke ofruar infrastrukturë fizike “, tha ministri Hamza.

Ndërsa, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, duke e cilësuar si një takim të shkëlqyeshëm takimin me Ministrin Hamza, tha se  ka marr informata rreth gjendjes ekonomike në Kosovë, për strategjitë afatshkurtra dhe afatmesme, për përpjekjet për të rritur të hyrat vetanake,  si menaxhimin e shpenzimeve.

“Kisha kënaqësinë  të dëgjoj nga  vet Ministri,  që Qeveria e Republikës së Kosovës,  e çmon lart përkushtimin dhe  përpjekjet tona për zhvillim e Kosovës,  në  të gjitha ato fusha që përmendi Ministri, e në veçanti  në tërheqjen e investitorëve”, theksoi ambasadorja Jacobson.

Duke siguruar ministrin Hamza se  bashkëpunimi përmes USAID-it, Thesarit si dhe departamenteve të tjera të qeverisë amerikane, do të vazhdojë edhe më tej. /Telegrafi/ 

Lini një koment