Kalo te lënda

PDK-së e AKR-së ia falin borxhet

Prishtinë. Mijëra euro borxhe ndaj hotelit “Grand” që nuk i janë paguar nga partitë politike për shfrytëzimin e hapësirave gjatë fushatave parazgjedhore, është duke i mbledhur Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Pas marrjes në menaxhim të këtij hoteli AKP ka përpiluar një listë faktuarash në adresë të partive politike por ato u janë dërguar vetëm partive në opozitë, kurse jo edhe atyre që janë në pushtet. Zyrtarët e AKP-së nuk japin detaje rreth partive dhe shumës se borxheve, kurse vetë zyrtarët e partive shpalosin faturat që u janë nisur nga AKP-ja.

Në adresë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shkuar një mori faktuarash që kapin shumë e rreth 20 mijë eurove. Zyrtarët e AAK-së nuk e pranojnë se e kanë atë borxh, duke akuzuar AKP-në se nuk i kanë prezantuar faturat e pagesave që i ka bërë partia. Sipas tyre, shumica nga to janë të pavërtetuara.

“Po, kemi pranuar një listë të faturave që nga periudha 2007, fatura të cilat ne jemi duke i rishikuar nëse janë fatura të sakta ose jo, kemi rënë në kontakt me AKP-në, dhe ka mbetur të rishikohen. Ne kemi paguar fatura shumë më të reja dhe ne nuk na u janë prezantuar ato fatura deri më tani”, ka thënë Valon Tolaj, menaxher i financave në AAK.

Ai tha se çmimi total i është afro 20 mijë euro, përfshirë edhe disa borxhe të viteve të fundit, të cilat sipas tij, pjesërisht janë paguar. “Një pjesë janë të nënshkruara një pjesë të panënshkruara, periudha kohore shkruan por për çfarë janë shfrytëzuar nuk shkruan, nuk janë të besueshme, megjithatë vjetërsia e faturave na ka bërë të mendojmë”, ka thënë Tolaj.

Ai ka bërë me dije se arsyeja pse kanë kërkuar kohë është se si ka mundësi t’iu prezantohet një faturë më e re ndërsa më e vjetër jo. “Unë kam paguar fatura këtë vit 4 herë por nuk na janë prezantuar të vjetrat”, ka thënë Tolaj, duke shtuar se nëse vërtetohen se këto fatura janë të AAK-së, atëherë do t’i kryejnë të gjitha obligimet.

Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka shkuar vetëm një faturë për të cilën zyrtarët e saj thonë se nuk mund të jetë e saktë.

“Ne kemi pranuar javën e kaluar një faturë prej 2 mijë eurove të vitit 2007-të, mirëpo nuk e dimë se cila degë e ka shfrytëzuar, përndryshe ne i kemi fshirë të gjitha borxhet me Grandin”, ka thënë shefi i financave në këtë parti, Lutfi Zharku. Këto janë dy partitë që e pranojnë se kanë marrë fatura nga AKP-ja, kurse partitë në pushtet PDK dhe AKR thonë se nuk kanë marrë asgjë që ka të bëjë me borxhet ndaj hotelit “Grand”

“Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka pranuar asnjë faturë sa i përket kësaj çështjeje nga AKP-ja”, kanë thënë një zyrtare e administratës në këtë parti, e cila ka kërkuar që të mos i përmendet emri në gazetë. Edhe nga Aleanca Kosova e Re (AKR) thonë se nuk kanë pranuar asnjë faturë deri më tani. Por, ata thonë se edhe ashtu nuk i kanë borxh hotelit “Grand”.

“Nuk jam në dijeni, deri më tani nuk kemi pranuar. Mirëpo, ne i kemi të kryera të gjitha obligimet me kohë”, ka thënë Ibrahim Makolli nga kjo parti. Kurse zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) nuk kanë dashur të japin detaje rreth borxhlinjve dhe faturave që kanë nisur nëpër adresa të caktuara. Për gazetën “Zëri” ata kanë thënë se janë ende në përpilim të listave. “AKP-ja është duke i hartuar listat”, janë përgjigjur shkurt zyrtarë të AKP-së./Indeksonline/

Lini një koment