Kurti: Të kushtëzohen bisedimet
Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur sot në një tryezë të përbashkët subjektet politike jashtëparlamentare, ku u diskutua për negociatat Kosovë-Serbi.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se me këto bisedime Qeveria e Kosovës po bënë që veriu t’i afrohet edhe me shumë Serbisë. Ai tha se bisedimet duhet të kushtëzohen në mënyrë që Serbia të demaskohet para bashkësisë ndërkombëtare.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti gjatë diskutimit të tij tha se që nga dialogu teknik në mars të vitit të kaluar nuk ka pas rezultate e as integrim të serbeve. Qeveria e Kosovës duhet që t’i vejë kushte koalicionit në Serbi për ta demaskuar para opinionit ndërkombëtarë. Ai tha se dialogu nuk ka kuptim me një palë që nuk të njeh dhe që të thotë se t’i nuk ekziston.
“Me një palë që nuk t’i ka dorëzuar as kriminelët e luftës e as nuk i ka paguar dëmet që t’i ka shkaktuar. Me një palë e cila të lufton si në rrafshin politik dhe atë diplomatik. Ne mendojmë se Serbia duhet të transformohet e jo Kosova”, tha Kurti.
Në këtë tryezë u tha se Plani i Ahtisaarit ka qenë një kompromis dhe është implementuar aty ku ka dashur Serbia. Kryetari i Partisë Aksioni Demokratik Numan Baliq tha se në asnjë mënyrë nuk duhet të bisedohet me Serbinë për veriun e vendit dhe as për ndonjë autonomi të tij, sepse sipas tij, atëherë do të kishim një krijesë siç është Republika Serbe e Bosnjës.
Ai tha se çështja e veriut nuk është vetëm çështje e PDK-së, e kryeministrit aktual dhe koalicionit të vogël, por e gjithë Kosovës.
Të gjitha partitë jashtëparlamentare si Partia Demokristiane e Kosovës për Integrim, Partia Nacional Demokrate, Partia e Pensionistëve të Kosovës, Kosova Turk Birligi etj. njëzëri u pajtuan që assesi të mos shkohet në bisedime më Serbinë për çështjen e veriut të vendit.standardi.info