Kosova ka treguar pjekuri!
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë, Kosova, po kalon në një fazë të re, të marrjes së përgjegjësive si shtet sovran dhe i pavarur.
Në një intervistë për “Epokën e re”, për numrin e së martës, Kuçi, ka thënë se për të ardhur deri të ky proces janë kaluar shumë sfida, njëra ndër to dhe kryesorja ka qenë implementimi i pakos së presidentit Ahtisari. “Sfida kryesore ka qenë implementimi i pakos së presidentit Ahtisari, dhe kjo nuk ka qenë e lehtë. Dëshiroj t’i falënderoj qytetarët e Kosovë për mirëkuptimin që kanë treguar”, është shprehur Kuçi.
Kuçi, ka thënë se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është ndryshimi më i madh juridik dhe politik që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. “Ky është ndryshimi më i madh juridik dhe politik që nga 17 shkurti 2008. Do të thotë, pas pavarësisë, tani po hiqet pjesa mbikëqyrëse ndërkombëtare. Kjo do të ndikojë pozitivisht në veprimet tona brenda Kosovës, por mbi të gjitha në imazhin tonë përball botës demokratik. Kosova tani po e kalon edhe një test të pjekurisë”, ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi u ka bërë thirrje partive politike në Kuvendin e Kosovës që të tregojnë pjekuri të lartë më 7 shtator, kur edhe do të votohen amandamentimet kushtetuese dhe për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Kuçi, ka folur edhe për veriun. Ai ka thënë se kjo pjesë është e Kosovës dhe nuk duhet parë ndryshe. Po ashtu Kuçi ka thënë se pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, në veri ka nevojë për një mekanizëm të fort të veprimit. “Besoj se të gjithë nuk ndihemi mirë për veprimet që kanë ndodhur në veri. ICO-ja s’ka mundur të bëjë gati asnjë veprim atje. Po ashtu edhe EULEX-i, KFOR-i dhe institucionet e vendit. Në veri ka nevojë për një mekanizëm më të fortë, që nënkupton dinamizëm të KFOR-it, të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe angazhim, presion më të madh të Uashingtonit dhe Brukselit”, ka thënë ndër të tjera Kuçi. /Telegrafi/