Ejup Qerimi qëndron jashtëligjshëm në krye të PTK-së
Ejup Qerimi vazhdon të qëndrojë jashtëligjshëm në krye të PTK-së, shkruan sot “Koha Ditore”. Këtë e thonë zyrtarët e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilët vazhdojnë të kërkojnë shkarkimin e tij. Ejup Qerimi, si kryeshef i PTK-së, është në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Autoriteti qendror përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, që është Agjencia Kundër Korrupsionit, ka kërkuar tash sa muaj që Qerimi të shkarkohet nga pozita e kryeshefit të PTK-së, por kjo kërkesë e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.
Bordi i Drejtorëve të PTK-së dhe Ministria e Zhvillimit vazhdojnë ta injorojnë Agjencinë Kundër Korrupsionit. Këto dy institucione, që janë mbikëqyrës të PTK-së, nuk kanë marrë ende ndonjë hap në këtë drejtim për të ndaluar konfliktin e interesit që ka Qerimi në mbajtjen e dy posteve si anëtar i Bordit të Drejtorëve në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK) dhe drejtor ekzekutiv në PTK.
Zyrtarët e PTK-së jo vetëm që nuk kanë marrë masa për vendosjen e ligjshmërisë, por akuzojnë Agjencinë për marrjen e vendimeve që, sipas tyre, janë jashtë kompetencave të saj.