Bukoshi: Jam burrë i mirë!
Seanca për konfirmimin e aktakuzës për 11 ish-zyrtarët e lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, në mesin e të cilëve gjendet edhe ish- ministri Bujar Bukoshi, si dhe ish-sekretari i përhershëm Ilir Tolaj, ka vazhduar edhe gjatë së hënës me dëgjimin e deklaratave nga mbrojtja e të pandehurve.
Ish-ministri Bujar Bukoshi, përpos deklaratës së avokatit të tij, kishte vendosur që edhe të vetëmbrohet, duke konsideruar se pretendimet e prokurores së EULEX-it, Maria Bamieh, janë të pabaza. Aktakuzën Bukoshi e ka vlerësuar si të paqëndrueshme dhe ka kërkuar nga gjyqtarja Mariola Pasnik, që edhe ajo ta marrë si të tillë.
“Deklaroj se asnjëherë, për asnjë arsye dhe me asgjë nuk kam qenë pjesë e asnjë grupi dhe s’kam marrë pjesë në asnjë fushatë për ta viktimizuar askënd. Deklaroj me përgjegjësi se pretendimet e prokurores janë të pabaza”, ka thënë Bukoshi.
Ai i ka treguar gjyqtares për konfirmimin e aktakuzës se me profesion është urolog dhe se për ta bërë një operacion, sipas tij, gjithherë duhen indikacione. “Nëse alokoj në drejtësi duhet të shoh indikator, dhe për këtë rast nuk ka indikator por ndoshta ka vetëm një efekt, një ‘Rashomon effect’. Një percepsion selektiv i prokurores”, ka thënë Bukoshi.
Ndërsa avokati mbrojtës i Bukoshit, Besnik Berisha, ka potencuar se akuza ndaj të mbrojturit të tij është e paligjshme, si dhe kundërkushtetuese. Ai është shprehur se së bashku me Bukoshin, po ndihen të relaksuar, meqenëse besojnë se edhe gjykata do ta trajtojë ashtu siç e vlerësojnë ata këtë aktakuzë. “Presim që në seancën e radhës të merret vendimi lirues, përkatësisht hedhja e akuzës ndaj Bukoshit. Kjo akuzë është kundërkushtetuese, ngase për veprimet të cilat akuzohet zotëri Bukoshi, ai atëherë ka gëzuar imunitet funksional ashtu siç është interpretuar nga Gjykata Kushtetuese. Ai akuzohet për mosnënshkrim të kontratës dhe është plotësisht nën përgjegjësi të ministrit për të vendosur lidhur me shpenzimin e mjeteve dhe procedurat e tenderimit”, ka thënë Berisha. Sipas tij, Bukoshi kishte ndërmarrë veprime dhe vendime në kuadër të përgjegjësive të tij si ministër. Për këtë, Berisha ka thënë se Bukoshi ka gëzuar imunitet të plotë në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk mund të ndiqet penalisht, nuk mund të shtrohet padi civile kundër tij dhe nuk mund të shkarkohet, po qe se merret me përgjegjësi për këto veprime.
“Unë vlerësoj se prokurorja ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, ka përsëritur disa herë ai.
E prokurorja Maria Bamieh, e ka tërhequr aktakuzën për Basri Asllanin, njërin nga 11 ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë i cili akuzohet për shpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa gjyqtarja Pasnik ka thënë se prokurorja duhet t’ia dorëzojë gjykatës këtë vendim për shqyrtim.
Bamieh më pas, ka lëshuar një varg akuzash ndaj Osman Mehmetit, avokatit mbrojtës të të pandehurit Bekim Fusha, për të cilin ka thënë se më parë ishte prokuror në këtë rast dhe fakti që ai tashmë është avokat mbrojtës i njërit prej të pandehurve në këtë rast “përbën konflikt interesi”.
Prokurorja bëri të ditur se Osman Mehmeti sa kishte qenë prokuror i Qarkut kishte nisë procedura dhe masat ndaj të pandehurve, duke përmendur një dokument lidhur me një urdhër për përgjim të mesazheve telefonike për të pandehurit në këtë rast. Këtë veprim të Mehmetit, prokurorja Bamieh e ka vlerësuar si diçka “të pabesueshme” me të cilën duhet të merren prokuroria dhe Oda e Avokatëve e Kosovës.
Avokati Osman Mehmeti shpjegoi se kishte qenë prokuror i Qarkut deri në vitin 2010, por gjatë punës së tij mohoi të ketë marr veprime e hetime ndaj të akuzuarve lidhur me këtë rast. “Është e vërtetë se në dokument ekziston emri e mbiemri im, por jo edhe nënshkrimi dhe unë nuk e kam nënshkruar dokumentin, por e ka bërë prokurorja Laura Pula”, ka thënë ai. Sipas Mehmetit, këtu nuk ka të bëjë me konflikt interesi, ngase është i sigurt se nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. “ Unë nuk kam ditur asgjë për këtë rast derisa e kam parë aktakuzën”, ka shtuar ai.
Kurse gjyqtarja Mariola Pasnik ka potencuar se lidhur me këtë çështje do t’i drejtohet Prokurorisë publike gjatë ditëve në vijim, shkruan koha.
Edhe Ramiz Krasniqi, avokat mbrojtës i të akuzuarit Imer Ajeti, e vlerësoi përpilimin e aktakuzës nga ana e prokurores si joprofesional dhe joserioz. Sipas tij, akuza nuk ka bazë dhe prova të mjaftueshme dhe se nuk ka të bëjë asgjë me klientin e tij. “Kjo akuzë është e përgjithësuar dhe jo me prova konkrete dhe gjyqtarja për konfirmim të saj duhet ta hedhë poshtë aktakuzën”, ka thënë avokati Krasniqi.
Seanca e radhës për konfirmim të aktakuzës pritet të mbahet më 5 shtator, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë./standardi.info