Bisedimet duhet të kushtëzohen
Lëvizja Vetëvendosje ka mbledhur sot në një tryezë të përbashkët subjektet politike jashtëparlamentare, ku u diskutua për negociatat Kosovë-Serbi.
Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se me këto bisedime Qeveria e Kosovës po bënë që veriu t’i afrohet edhe me shumë Serbisë.
Ai tha se bisedimet duhet të kushtëzohen në mënyrë që Serbia të demaskohet para bashkësisë ndërkombëtare.
Të pranishëm në tryezë ishin: Zafir Berisha, Nusret Durmishi dhe Leart Batusha nga Bashkimi Demokratik, Zef Morina, Sarë Gjergji dhe Albert Zhaveli nga Partia Demokristiane për Integrim, Irfan Elsan dhe Rustu Taç nga Kosovo Turk Birligi, Bislim Hoti nga Lidhja e Egjiptianeve të Kosovës, Bujar Abdullahu dhe Florin Nue nga Partia Nacional Demokratike Shqiptare, Mark Nikaj dhe Irtullah Krasniqi nga Partia e Pensionisteve dhe Invalidëve të Kosovës, Sahit Dragaj nga Partia e Pensionistëve të Kosovës, Demush Zefi nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Haki Morina dhe Atdhe Ahmetaj nga Partia Socialiste e Kosovës, Nasuf Brenoli nga Socijaldemokratska Stranka Gore dhe Numan Baliç dhe Fahrudin Mexhedoviç nga Stranka Demokratske Akcije.
Pas diskutimeve të shumta dhe frytdhënëse, këto subjekte u dakorduan që të dalin me deklaratë të përbashkët në kundërshtim të negociatave me Serbinë:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, me datën 10 maj të vitit 2012, ka miratuar rezolutën që kushtëzon vazhdimin e bisedimeve pa u zbardhur fati i të zhdukurve. Kjo rezolutë duhet të respektohet nga Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore.
2. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të negociojë në asnjë mënyrë pa kushte me me Serbinë. Serbia është agresori dhe krimineli që kurrsesi nuk duhet amnistuar.
3. Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë dhe nuk duhet të negociojë me askënd për çështjet e brendshme të Kosovës, aq më pak me Serbinë, duke rrezikuar kështu shtetin e Kosovës.
4. Ne si subjekte politike dhe si qytetarë të Kosovës, jemi për integrim në BE, por trysnia e BE-së duhet të drejtohet aty ku duhet, drejt Beogradit, të cilin tani po e udhëheq koalicioni nazi-fashist i kohës së bombardimeve të NATO-s, në krye me zëvendësin e Sheshelit dhe zëdhënësin e Milosheviçit./Indeksonline/