Behgjet Pacolli, sponsor i Hajvalisë?
Klubi i promovuar në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, Hajvalia, e ka marrë seriozisht paraqitjen në elitën e futbollit kosovar.
Pas “bumit” në afatin kalimtar veror ku transferoi shumë futbollist cilësore, Hajvalia ka bërë edhe një hap të madh në qëndrueshmërinë financiare.
Burime te afërta me klubin nga Hajvalia i kanë thënë ORAinfo.com se Behgjet Pacolli ka vendosur të rikthehet në klubin e vendlindjes. Sipas këtyre burimeve, tashmë klubi do të bartë në fanella logon e Hotelit “Swiss Diamond”, pronë e zëvendëskryeministrit Pacolli.
Drejtori i Klubit të Hajvalisë, Ali Ajeti ka konfirmuar se bisedimet po zhvillohen me ‘njerëzit’ e Behgjet Pacollit, mirëpo, sipas tij, konkrete ende asgjë nuk ka.
“Ne jemi në negociata, mirëpo asgjë konkrete ende nuk ka. Javën e ardhshme do të dihet çdo gjë”, ka thënë Ajeti për ORAinfo.com.
Ai ka konfirmuar që në fanellat e Hajvalisë do të figuroj logoja e “Swiss Diamondit”, mirëpo ka theksuar se kjo nuk do të thotë se është arritur marrëveshje përfundimtare.
Hajvalia pas tri xhirove të para në Raiffeisen Superligë, ka shënuar një fitore, një barazim dhe një humbje, duke u pozicionuar në vendin e pestë në tabelë. (ORAinfo)