VIP Shpija 3 së shpejti në DigitAlb
Të gjithë që një kohë kanë qenë në pritje të fillimit të reality shou VIP Shpija 3, por tani duket se pritjet kanë marrë fund dhe së shpejti pritet të fillojë edicioni i tretë.
Telegrafi ka mësuar se këto ditë është arritur marrëveshja mes kompanisë DigitAlb dhe K-Studio. DigitAlb ka siguruar të drejtat televizive të transmetimit të edicionit të tretë VIP Shpija 3, ndërsa për këtë K-Studio do të duhet t’i plotësojë kushtet e kërkuara nga kompania më e madhe televizive shqiptare.
Këto standarde të cilat është dashur t’i plotësojë K-Studio ka qenë dhe arsyeja kryesore pse është vonuar fillimi i VIP Shpija 3. Këto standarde kanë të bëjnë me dizajnin e ambientit, i cili do të jetë unik dhe kombinim i dy kulturave, teksa koncepti i qëndrimit të banorëve do të jetë atraktiv për shikuesit.
Mësohet se në edicionin e tretë do të jenë të pranishëm yje nga të gjitha trevat shqiptare, në shenjë të festimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Do të ketë risi edhe në prezantim. Gjithnjë sipas burimeve tona, do të jenë prezantues të njohur televiziv nga Kosova dhe Shqipëria ata që do të jenë në një kombinim për netët spektakolare të këtij reality shou.
VIP Shpija do të fillojë shumë shpejt, kurse për t’u informuar me datën e saktë kur do të fillojë reality shou i cili do të transmetohet në DigitAlb, atëherë qëndroni me Telegrafin.