Sherri i politikës, AKP-ja pa bord
Agjencia Kosovare e Privatizimi ka mbetur pa dy organet udhëheqëse të saj. Bordit ka dy javë që i ka skaduar afati, ndërkaq që dy muaj i mungon edhe drejtori menaxhues.
Express mëson se presioni i partive politike për të pasur sa ma shumë poste në organet drejtuese të kësaj agjencie, e ka paralizuar punën e këtij institucioni.
Nga 22 korriku, kur Bordit edhe i skadoi afati, nuk ka qenë e mundur të merret asnjë vendim nga Agjencia, në mungesë të kuorumit.
“Krahas posteve, ka kërkesa për zgjerim të partive politike që po duan të kenë hise në organet drejtuese të Agjencisë. Kjo edhe po e zhagit procesin e emërimit të anëtarëve të rinj”, ka thënë për gazetën, një zyrtar i afërt me këtë proces.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit konfirmojnë se anëtarëve vendorë të Bordit të Drejtorëve u ka skaduar mandati që nga 22 korriku.
“Aktualisht Bordi nuk e ka shumicën e anëtarëve që mundësojnë funksionimin (nuk ka kuorum) dhe i mungon edhe kryetari”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun në AKP.