Pritet shtrenjtim i rrymës për amvisëritë
Konsumatorët e amvisërisë do të paguajnë tarifa të larta të energjisë elektrike në dy vjetët e ardhshëm. Shtrenjtimi i energjisë në dy vjetët e ardhshëm në masë të madhe do të ndikohet nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritje të tantiemës për rreth 1.000 për qind (nga 0.27 në 3 euro) si dhe nga obligimet që Kosova ka marrë me rastin e nënshkrimit të traktatit të Komunitetit të Energjisë. Eliminimi i ndërsubvencioneve në mes të konsumatorëve të ndryshëm, që duhet të ndodhë deri në fund të vitit 2014, pritet të afektojë më së shumti tarifat për ekonomitë familjare që deri më tash nuk kanë pasur tarifa që reflektojnë koston.
Eliminimi i ndërsubvencioneve është obligim që del nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, nënshkruese e të cilit është edhe Kosova.
Por, nuk do të jenë vetëm eliminimi i ndërsubvencioneve faktori i vetëm që do të ndikojë që tarifat në dy vjetët e ardhshme të jenë dukshëm më të larta pasi në tarifë pritet të ndikojnë edhe nevoja për investime kapitale, rritja e nevojës për import dhe tantiema.
Ashtu si ndërsubvencionet, edhe tantiema është obligim që del nga një vendim i Qeverisë dhe i Kuvendit të Kosovës për të rritur tantiemën në thëngjill nga 0.27 centë në 3 euro.
Por, vendimi i ZRRE-së i cili i obligon të licencuarit që në 5 vjetët e ardhshëm t’i përgjysmojnë humbjet, pritet të ndikojë pozitivisht në tarifa, përkatësisht do të zbutë nevojën për rritje enorme të çmimit të energjisë. Gazeta ka raportuar se të gjitha humbjet e energjisë elektrike, duke përshirë ato teknike e komerciale kalkulohen në tarifa. Mbulimin e humbjeve që KEK-u ka në veriun e vendit për shkak të mungesës së qasjes, por edhe vjedhjet e tjera të energjisë i kalkulohen konsumatorit të rregullt, shkruan Koha Ditore.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka nisur shqyrtimin e shtatë të tarifave të energjisë elektrike në të cilin do të shqyrtohen të hyrat e lejuara për Gjenerim, KOSTT dhe Distribucion për pesë vjetët e ardhshëm. Caktimi i të hyrave të lejuara nënkupton caktimin e tre prej komponentëve kryesorë që i ndërtojnë tarifat e energjisë elektrike. Kësisoj, në muajin mars kur do të merret vendimi i ZRRE-së për të hyrat e lejuara për gjenerim, distribucion dhe KOSTT do të mësohet edhe trendi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike për pesë vjet. E tarifat që do të paguajnë konsumatorët do të vazhdojnë të caktohen në baza vjetore. /Telegrafi/