Opozita: Serbia na bëri të duket si kompromis i saj
Lëvizja Vetëvendosje mendon se deklaratat publike të zyrtarëve serb, për atë se Fusnota nuk i pengon, janë lojë e serbëve.
“Serbia ka pranuar që Kosova të paraqitet në mënyrë asimetrike, dhe mënyra se si është sjellë qeveria e Kosovës, ka bërë që ky kompromis i Kosovës të shihet si lëshim pe i Serbisë”, ka thënë Shpend Ahmeti për Indeksonline.
Ahmeti, theksoi se kjo marrëveshje është e papranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Në asnjë mënyrë kjo nuk është e pranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje. Si edhe Dialogu ashtu edhe kjo marrëveshje janë ulje e sovranitetit të Kosovës, shkelje e Kushtetutës së Republikës, dhe situatë e pashpresë politike në këtë rrugë që e ka zgjedhur kjo qeveri”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë që partitë e tjera opozitare kanë deklaruar për Indeksonline se nuk është ndonjë llojë befasie. Ata e shohin thjesht një marrëveshje që është arritur më herët dhe se tani ka gjetur zbatim
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për Indeksonline se Serbët e kanë pranuar edhe më herët këtë dhe nuk është ndonjë lloj befasie për ta.
“Është marrëveshje të cilën serbët e kanë arritur me Edita Tahirin dhe bashkimin evropian. Befasitë e tyre nuk janë objekt i politikës tonë, ne e dimë që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe si e tillë duhet të pranohet në të gjithë forumet ndërkombëtare”, ka thënë Gashi.
Të të njëjtit mendim janë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, megjithëse këta të fundit thonë se është pranim i vonshëm.
Besnik Tahiri nga AAK-ja thotë se më e rëndësishme është që Serbia të kthjellet dhe ta sheh realitetin e Kosovës.
“Me rëndësi është që Kosova të marrë pjesë në këto konferenca rajonale dhe në ato takime të nxjerrë sa më shumë që është e mundshme për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës. Fusnota si e tillë i ka do të thotë lëshimet dhe dobësitë e veta mirëpo prezenca e Kosovës përsëri do të përdoret për interes të qytetarëve dhe vendit tonë. Është vendim i vonshëm sepse sa më shpejt që pranohet realiteti në Kosovë është edhe më mirë për rajonin dhe integrimin tij në bashkimin evropian”, ka thënë Tahiri për Indeksonline.
E po ashtu e sheh edhe analisti Nexhmedin Spahiu, i cili thotë se ajo e cila është bërë më herët është duke u përsëritur dhe po bëhet tani.
“Unë nuk shoh diçka më ndryshe nga ajo që është arritur marrëveshja më herët vetëm se tash janë precizuar disa detaje më tepër. Po shitet dy herë i njëjti sen”, ka thënë Spahiu./Dardan Hoti/Indeksonline/