Kalo te lënda

Majko në Mitrovicë: Janë tri, jo një urë!

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, aktualisht deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga radhët e Partisë Socialiste qëndroi të hënën në komunën e Mitrovicës, me ç’rast vlerësoi procesin e ndërtimit në veri.

Sipas kumtesës së Komunës së Mitrovicës, ish kryeministri i Shqipërisë vizitoi disa lagje të veriut i shoqëruar nga kryetari i komunës, Avni Kastrati dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramiz Lladrovci.

Bashkërisht kanë qëndruar në shtëpinë e Florent Azemit, përfaqësues i shqiptarëve të Lagjes së Boshnjakëve në veri.

Azemi ka thënë se institucionet e Serbisë prej pasluftës kanë tentuar në forma të ndryshme që të spastrojnë etnikisht këtë pjesë të Kosovës, por nuk ia kanë dalë.

“Serbia ka investuar shumë që veriun ta spastroj etnikisht nga shqiptarët, mirëpo ne kemi mbijetuar me ndihmën e institucioneve tona, që tash janë duke na ndihmuar shumë”, ka thënë ai.

Vizita ka vazhduar në Kroin e Vitakut, ku ish-kryeministri Majko dhe kryetari Kastrati kanë ndaluar në afërsi të shtëpive të Ali Kadriut.

Pasi është njoftuar në detaje për gjendjen dhe rrethanat aty, Majko është shprehur i impresionuar për ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në veri.

Ai tha se nuk e kishte paraparë një realitet të tillë, meqë përshtypja e përgjithshme e krijuar nga mediat është krejtësisht ndryshe.

“Është dashur që të vija këtu dhe të kuptoja se nuk është vetëm një urë që lidh qytetin, por që janë tri sosh”, tha ai.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, e ka falënderuar Majkon për vizitën dhe interesimin e tij për Mitrovicën. Ai premtoi se investimet dhe rindërtimi në veri nuk do të ndalet derisa të krijohen kushte për kthimin e të gjithë atyre që janë zhvendosur nga shtëpitë dhe pronat e tyre. (ORAinfo)

Lini një koment