Kalo te lënda

Kurti: Paaftësia qeverisëse po e fut Serbinë në bisedime për veriun

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar mobilizim gjithëpartiak për të kundërshtuar politikat e Qeverisë. Ata kanë thënë se gjatë kësaj vjeshte do të jenë aktivë kundër dialogut me Serbinë dhe kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Albin Kurti ka thënë se bisedimet me Beogradin po bëhen në mungesë të idesë së shtetndërtimit, ndërsa privatizimet në mungesë të ideve zhvillimore. Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur të aktivizohet për t’i ndalur bisedimet e paralajmëruara me Serbinë si dhe për të kundërshtuar privatizimet e ndërmarrjeve publike.

Kështu, në mbledhjen e jashtëzakonshme organizative të VV’së, të mbajtur të shtunën, është vendosur të kundërshtojnë veprimet e Qeverisë edhe me protesta. Në emër të VV’së, Sekretari Dardan Molliqaj ka treguar qëllimin e mobilizimit kundër pushtetit.

“Kjo mbledhje ka për qëllim që përballë këtij mobilizimi të pushtetit, të ndodhë një mobilizim i jashtëzakonshëm i të gjitha niveleve të Lëvizjes Vetëvendosje për ta përballuar dhe ndalur këtë projekt, i cili besojmë se do ta dëmtojë Kosovën në të gjitha rrafshet”, ka thënë Molliqaj.

Sipas udhëheqësve të Vetëvendosjes, shteti i Kosovës është i rrezikuar si asnjëherë më parë dhe kërkon masa të jashtëzakonshme mobilizuese.

Duke i cilësuar të dëmshme bisedimet me Serbinë dhe thirrjeve që Qeveria po u bën edhe subjekteve opozitare që të përfshihen në këtë proces, si dhe duke e cilësuar si shumë të dëmshëm procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, Vetëvendosja ftoi strukturat e saj që të mobilizohen kundër këtyre veprimeve të Qeverisë.

Sipas liderit të VV’së, Albin Kurti, bisedimet me Serbinë janë të dëmshme sa edhe privatizimi i ndërmarrjeve publike.

”Qeveria e Kosovës nuk ia ka idenë zhvillimit të vendit tonë, prandaj e shet pasurinë që do të mund të ishte baza e zhvillimit. Dhe, Qeveria e Kosovës nuk ia ka idenë sovranitetit të shtetit tonë, prandaj i shton fusnota pavarësisë, e cila do të mund të ishte baza për sovranitetin. Privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore e publike në Kosovë nuk ka qenë ide, por mungesë e idesë së zhvillimit. Njësoj, dialogu e bisedimet me Serbinë nuk kanë qenë ide, por mungesë e idesë së shtetndërtimit”, ka vlerësuar Kurti.

Ai ka treguar se pse Qeveria e Kosovës po merr veprime të tilla në dëm të shtetit.

“Sipër Qeverisë së Kosovës ndodhet protektorati ndërkombëtar, i cili as nuk po përfundon, e as nuk po përmbyllet, por po hyn përbrenda institucioneve të Kosovës. Ky protektorat e ka sjellë paqen pa demokraci, sigurinë pa zhvillim dhe stabilitetin pa liri. Stabiliteti në Kosovë është rehati për burokratët ndërkombëtarë dhe zyrtarët qeveritarë, e kurrsesi për qytetarët e Kosovës. Kemi një Qeveri që është shumë e dobët karshi Serbisë dhe shumë e egër karshi qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Kurti.

Udhëheqësi i Vetëvendosjes ka thënë se situata aktuale nuk është hiq më e mirë se në vitet ‘90, por se ndryshimi është sikur “njeriu kur del prej burgu dhe hyn në spital”.

“Krahasuar me periudhën e okupimit të viteve ‘90, politikisht, shqiptarët e Kosovës kanë bërë kalimin nga burgu serb në spitalin ndërkombëtar. Atëherë ishim të burgosur, ndaj të cilëve ushtrohej dhunë e përditshme. Subjektiviteti ynë politik nuk pranohej dhe i gjithë populli shtypej. Gjithsesi, nuk lejohej e drejta e vetëvendosjes. Pas çlirimit, dolëm nga burgu, por nuk dolëm në liri, sepse na futën në spital. Tash, në spital, doktorët dhe infermieret nuk na rrahin më, por sërish nuk lejohet e drejta e vetëvendosjes”, ka thënë ai./standardi.info

Lini një koment