Kuçi Kodin e Procedurës Penale e quan modern
Projekt-kodi i ri Procedurës Penalë është shumë më modern dhe më praktik së sa kodi aktual, kështu u tha në dëgjimin publikë ku i ftuar nga Komisioni për Legjislacion i Kuvendi të Kosovës, për ta prezantuar këtë kod, ishte Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Para të pranishmeve në këtë dëgjim publik, ministri Kuçi tha: “Me lejoni që në fillim të shpreh falënderimin për punën e Komisionit dhe të Kuvendit në përgjithësi për finalizimin e ligjeve bazike për sistemin juridik në Republikën e Kosovës. Dua gjithashtu të ju falënderoj veçanërisht për punën tuaj të madhe që keni bërë në ligjet voluminoze të sjella nga Ministria e Drejtësisë siç ishin Kodi Penal, Ligji për marrëdhëniet Detyrimore dhe tani Kodin e Procedurës Penale.
Me këtë Kod përcaktohen rregullat e procedurës penale të cilat janë të detyrueshme për punën e gjykatave, prokurorisë së shtetit, si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurën penale.Gjatë përgatitjes së këtij Kodi, grupi punues është fokusuar në eliminimin e të gjitha mangësive, zbrazëtirave dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të Kodit nga ana e institucioneve përgjegjëse në këtë fushë, dhe sidomos nga ana e prokurorive dhe gjykatave të Republikës së Kosovës. Në ndryshim e Kodit gjithashtu jemi fokusuar në përditësimin e tij me rrethanat aktuale në vend, duke pasur parasysh që Kodi i Procedurës Penale që është në zbatim është nxjerr në rrethana krejtësisht tjera që kanë qenë prezentë në Kosovë. Me ndryshimin e rrethanave politike, ekonomike dhe statusit të Republikës së Kosovës është e nevojshme që edhe Kodi i Procedurës Penale të ndryshohet. Këtu dua të ndaj veçanërisht praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e njeriut, e cila ka nxjerrë një mori rastesh gjatë këtyre viteve të fundit që kanë të bëjnë me Procedurën Penale. Dua t’ju siguroj se grupi ynë punues ka shikuar vazhdimisht praktikën gjyqësore për t’u siguruar që risitë që i sjellim, të kenë garancinë e kërkuar të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut.
Sipas Projektkodit të Procedurës Penale që përmban 549 nene të ndara në 6 pjesë dhe 38 kapituj, procedura penale do të jetë më ndryshe në shumë aspekte nga kodi aktual. Ky Kod është në përputhe me Të drejtën aktuale Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera në Kosovë.
Ne i kemi parë edhe komentet e OSBE-së e cila studion në veçanti këtë aspekt të legjislacionit, dhe fatmirësisht kemi marrë komente shumë lavdëruese për Kodin e ri, duke cilësuar se ai i përfshinë standardet ndërkombëtarë dhe praktikat më të mira të kësaj fushe”, tha ndër të tjera ministri Kuçi duke kërkuar mbështetjen për miratimin e Projektkodit të Procedurës Penale.