Kalo te lënda

Sllovenia mbështet integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, është pritur nga homologu i tij, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha. Në takim dy kryeministrat diskutuan për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe Slloveni, për procesin integrues dhe zhvillimor nëpër të cilin po kalon Kosova, për bashkëpunimin rajonal dhe për tema tjera me interes të përbashkët.

Kryeministri Thaçi në takimin me kryeministrin Jansha ka vlerësuar lartë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Sllovensisë dhe është shprehur për thellimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve në fushat e interesit bilateral, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik.

Thaçi theksoi se me përmbylljen zyrtare të mbiqkyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë së Kosovës, Republika e Kosovës po dëshmohet një shtet serioz demokratik, me institucione të konsoliduara, e gatshme për t’u bërë pjesë e institucioneve evropiane dhe euro-atlantike.

Ishte konstatim i përbashkët i dy kryeministrave që Pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet në rajon, më shumë bashkëkupim rajonal dhe këtë më së miri e argumenton procesi i përmbylljes zyrtare të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë tani në fillim të shtatorit.

Nga ana e tij, kryeministri slloven ka potencuar se perspektiva e Kosovës është padyshim perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në këtë drejtim Jansha ka vlerësuar lartë hapat konkretë që i ka marrë Qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e Kryeministrit Thaçi në thellimin e reformave të gjithanshme në Kosovë, thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Slloveni, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ku do të zhvillojë takime me pjesëmarrës të forumit nga vendet e rajonit. Ky forum synon që të nxis nivelin e lartë të dialogut në mes të liderëve nga sektori privat dhe publik për çështjet e zhvillimeve të ardhshme në Evropë.

Lini një koment