Shqipëri, rritja e vrasjeve
Vrasjet dhe vetëvrasjet janë rritur ndjeshëm këtë verë dhe sipas psikiatërve shkaku kryesor është mosmenaxhimi i krizave të ndryshme nga ana e vetë personit, që kryen krimin.
Kriza brenda familjes, ajo ekonomike, por dhe koeficienti i ulët intelektual, janë tipare të akteve të tilla, të cilat po marrin gjithnjë e më shumë jetë njerëzish. Psikiatria Arjana Reli, sqaron disa nga shenjat dalluese të sjelljes të këtyre personave përpara se te kryejnë vrasjet.
“Familjarët e shikojnë që ka diçka që nuk shkon, që ky person po konsumon shumë më tepër alkool, që ky nuk është më i përgjegjshëm të marrë detyrimet ndaj vetes, që shpërthen shumë shpejt, që krijon shumë shpejt problematika qoftë me veten, por edhe me ambientin përreth dhe nisur nga të tilla shenja, familjari që mund të jetojë me të, duhet të mundohet ta ndërgjegjësojë që të mos shkojë deri te pasojat ekstreme”, thotë Reli, cituar nga AS.
Për të parandaluar krime të tilla, familjarët në momentet e shpërthimit të agresivitetit të të afërmve të tyre, nuk duhet të reagojnë apo ta stimulojnë duke u sjellë në të njëjtën formë. Sipas psikiatres, një sjellje e tillë, indirekt e ndihmon personin në kryerjen e krimit.
“Familjari është po aq i stresuar për mbarëvajtjen e familjes, kështu që përballë një stresi që i sjell ky kryefamiljar të themi, apo familjar tjetër, atëherë shumëfishohet presioni tek anëtari tjetër i familjes, gjë që e gjeneron konfliktin dhe e çon pastaj atje ku ne i kemi parë… të vrarë”, thekson ajo, transmeton Start.
Këta persona në përgjithësi nuk konsiderohen si të fortë në karakter, pasi gjithnjë e më shumë viktimat janë njerëzit e afërm të familjes dhe kryesisht më të dobëtit, gratë, fëmijët deri dhe prindërit. Për këtë arsye psikiatrit këshillojnë, që nëse në familje kanë persona, që shfaqin shenja agresiviteti të punojnë për t’i bindur ata të trajtohen. /Telegrafi/