Kalo te lënda

Serbët e dyshuar të Prishtinës

Vendtakimi për kafe dhe kontrollime mjekësore i serbëve të Prishtinës në zemër të kryeqytetit, është vend i dyshimtë për institucionet e Kosovës, të cilat kanë vendosur që brenda disa javësh të ndërmarrin aksion për largimin e tyre. Aksionin do ta ndërmarrin me arsyetimin se iu nevojitet objekti ku veprojnë ata derisa prapa saj, dyshojnë se qëndron diçka tjetër.

Ky vendtakim i serbëve që nga paslufta në Kosovë, i cili ka jo më shumë se dyzet metra katrorë gjendet mes dy mureve të dy institucioneve shumë të rëndësishme të vendit, Agjencisë Kosovare të Inteligjencës në njërën anë dhe Policisë Rajonale në anën tjetër.

Takimi i serbëve në objektin ku zyrtarisht punon një mjeke e paguar nga Qeveria e Serbisë, një motër medicinale dhe një pastrues, bëhet thuajse çdo ditë.

“Gjatë ditës punojmë me rreth 10 persona që vijnë qoftë për vizitë, qoftë edhe vetëm për të pirë kafe e për të bërë muhabet. Po ashtu këtu marrin edhe shtypin serb”, thotë Slavica Qankoviq, mjeke e përgjithshme në këtë qendër, e cila vepron nën ombrellën e Organizatës Joqeveritare Serbe, “Qendra për Paqe dhe Tolerancë”.

Po të qëndrosh në afërsi të kësaj zyre, pos serbëve të moshuar, rastis të shohësh edhe persona me mosha mesatare të hyjnë e dalin nga ajo qendër e madje edhe policë serbë të uniformuar me veshjen e Policisë së Kosovës.

“Këtu më së paku është ambulancë e më së paku është qendër për paqe dhe tolerancë, por aty është diçka tjetër, që po besoj që veç po e kuptoni”, thotë një zyrtar i lartë i policisë, duke dyshuar që veprimtaria e serbëve që veprojnë në zemër të kryeqytetit është e lidhur me ndonjë shërbim sekret të Serbisë.

Policia e Kosovës pretendon se serbët kanë qëllime të caktuara pse qëndrojnë në objektin që policia pretendon se është e tyre.

Nenad Maksimoviq, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Qendra për Paqe dhe Tolerancë” (QPT), thotë ndërkaq se objekti para luftës ka qenë pronë e Bankës Komerciale dhe si të tillë nuk e lëshojnë pa pasur ndonjë vendim gjyqësor apo pa u privatizuar objekti prej 40 metrash katrorë. Ky objekt sipas tij, është i vetmi lokacion, ku takohen 46 serbët e mbetur që nga paslufta në Prishtinë.

“Janë katër arsye pse qytetarët serbë të Prishtinës takohen në atë vend. Çështja e parë ka të bëjë se aty serbët janë të sigurt për shkak se është afër policisë, arsyeja e dytë është se atë objekt e kemi pa para, arsyeja e tretë është se veprojmë qe trembëdhjetë vjet në atë objekt dhe secili nga serbët e di se ku është ai vend, dhe arsye e katërt është se nuk kemi alternativë tjetër”, thotë Maksimoviq, i cili vepron në Graçanicë, ndërsa zyra që drejton ka selinë edhe në veri të Mitrovicës, shkruan gazeta “Zëri”.

Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, udhëheqësit e policisë nuk preferojnë të flasin përkitazi me këtë çështje, por gazeta nga burime të saj ka kuptuar se PK posedon dokumente të vitit 1984, që dëshmojnë se zyra prej 40 metrash ka qenë pronë e organeve të sigurisë.

“Në kohën e regjimit serb, ajo zyrë i ishte dhënë për shfrytëzim Bankës Komerciale, por në dokumentet e vitit 1984 që ne kemi, figuron se ajo zyrë ka qenë pjesë e strukturave të sigurisë”, ka thënë një zyrtar i lartë i policisë.

Nuk jemi shërbim sekret

Po t’ia lëshosh një sy nga jashtë, zyra e serbëve nuk dallohet dhe aq ngase ajo është në një kulm me objektin e policisë rajonale. Dera hyrëse e kësaj zyre dallon vetëm për nga ngjyra me atë që ka policia.

Dera në anën e majtë të hyrjes kryesore të Stacionit Policor, ku janë të vendosur serbët, ka ngjyrë të kuqe të mbyllët. Gjatë ditës në shumicën e rasteve, ajo qëndron e hapur ndërsa shihen të hyjnë e dalin serbë të moshave të ndryshme, por kryesisht të moshuar.

“Mesatarja e moshës së serbëve që vizitojnë atë qendër është rreth 75 vjeç. Çka mund të bëjnë ata?”, pyet Nenad Maksimoviq, teksa çuditet me dyshimin që kanë institucionet e Kosovës, për veprimtarinë e serbëve në atë vend. “Le të vijnë e të kontrollojnë kur të duan”, shton ai.

Me të hyrë përmes derës së kuqe sheh një hapësirë të brendshme jo fort të rinovuar. Ngjan në një çajtore me interier të vjetruar. Në hyrje është një paradhomë me disa ulëse, ndërsa po të lëvizësh edhe pak, sheh një kuzhinë të vogël dhe një tavolinë me karrige. Një kthesë e vogël të çon te një zyrë e ngushtë, aty ku qëndron mjeku bashkë me infermieren dhe janë të vendosura disa aparatura shëndetësore për ata që kërkojnë ndihmën mjekësore.

“Unë këtu vij çdo ditë, pi kafe dhe lexoj shtypin serb. Ndjehem si në shtëpinë time”, thotë një serb i moshuar, i cili qëndronte ulur në një karrige derisa e priste kafen nga një bashkëbiseduese e tij.

“Ne jemi këtu të vendosur qysh prej pasluftës, dhe na ka vendosur KFOR-i. Arsyeja pse jemi afër policisë na bën të ndjehemi të sigurt dhe asgjë tjetër. Pra, nuk ka të bëjë me thashethemet e tilla se kinse ne jemi shërbim sekret…thjesht nuk kemi të bëjmë me askënd”, thotë në anën tjetër mjekja Slavica Qankoviq.

Ajo pohon se për objektin ku janë vendosur në vitin 1999, nga KFOR-i, nuk kanë paguar asnjëherë qira dhe thotë gjithashtu se nuk e di as kush është pronari legjitim i objektit.

“Por e di që nëse na largojnë nga këtu, ne zor se do të shkojmë diku tjetër, thjesht do të përfundojmë në rrugë”, thotë ajo, duke pohuar se pos pagës që e merr nga Serbia, mjetet tjera për kontrollet e pacientëve i merr në ambulancën e Fushë-Kosovës.

Refuzojnë ndihmën institucionale

Nenad Maksimoviq, drejtor i OJQ-së, thotë se në këtë objekt janë vendosur nga janari i vitit 2000.

“E dini që në 1999-ën kushdo që ka mundur të uzurpojë hapësira në Prishtinë e ka bërë atë, por për shkak se ky objekt ka qenë afër Stacionit të Policisë, nuk ishte okupuar nga askush. Dhe me ndihmën e KFOR-it e të UN-it ne jemi vendosur aty dhe sipas kontratës me UN, afati i qëndrimit në atë zyrë ka qenë i pakufizuar”, thotë Maksimoviq.

Nga paslufta e deri në 2009-ën kishin vepruar aty, pa asnjë zhurmë. Në 2009-ën, serbët që thonë se janë vendosur aty për nevojat urgjente shëndetësore të serbëve që kanë mbetur në Prishtinë, kishin marrë alarmin e parë verbal nga policia se duhet të largohemi.

Të alarmuar nga policia, Organizata QPT e kishte njoftuar Qeverinë e Kosovës dhe përmes një dokumenti, Sergjan Sentiq, këshilltar i lartë i kryeministrit Hashim Thaçi, për çështje të komuniteteve, iu kishte thënë serbëve se mund të rrinë në atë objekt.

“Prej vitit 2009, policët çdo gjashtë muaj kanë ardhur në zyrë dhe na kanë thënë se duhet të largohemi, por asnjëherë nuk na kanë sjellë ndonjë vendim”, thotë Maksimoviq.

Tashmë së fundi, komandanti rajonal i Policisë së Prishtinës, Rashit Qala, përmes një njoftimi iu ka thënë serbëve që duhet të largohen nga ai objekt.

“Më duhet t’ju njoftoj se për shkak të nevojave operative të Policisë së Kosovës në Prishtinë, është ardhur vendimi që nga data 26.07.2012, hapësira ku ju qëndroni ta lironi për policinë. Edhe më herët ju keni qenë të lajmëruar se vendi ku qëndroni është objekt i Policisë së Kosovë, dhe disa herë është kërkuar nga ju që të gjeni një tjetër vend, por nuk e keni bërë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e nënshkruar nga Qala, një kopje të së cilit e ka siguruar gazeta.

“Ne i kuptojmë problemet e juaja, (kjo edhe ka qenë arsyeja pse disa herë jemi tërhequr dhe nuk ju kemi larguar) megjithatë, tani ka ardhur koha për të vepruar”, thuhet më tutje në vendim, i cili pavarësisht datave nuk është zbatuar.

I pyetur nëse kanë kërkuar ndihmë kohëve të fundit nga Qeveria e Kosovës, Maksimoviq nuk përgjigjet, por thotë se mund të jetë arsyeja politike se pse po duan që t’i largojnë nga aty.

“Një arsye është dimensioni politik, ngase policia dëshiron të mbyllë vendin e vetëm në Prishtinë, ku serbët takohen, dhe arsye tjetër është se ata thonë që objekti është i tyre, por që realisht nuk është”, thotë Maksimoviq.

Zyrtarë nga Qeveria e Kosovës, me kusht anonimiteti, kanë bërë me dije se Zyra për komunitete e Qeverisë së Kosovës iu ka bërë me dije udhëheqësve të kësaj OJQ-je që të gjejnë një lokacion tjetër dhe se qeveria do të marrë përsipër shpenzimet e qirasë, por serbët kanë refuzuar.

“Me çdo çmim ata refuzojnë të largohen nga ai objekt”, thotë ky zyrtar i lartë.

Alarmohen ndërkombëtarët

Të shqetësuar me njoftimet nga policia se duhet të largohen nga objekti prej dyzet metrash katrorë, punonjësit e Qendrës për Paqe dhe tolerancë kanë njoftuar EULEX-in dhe Komisionin evropian në Prishtinë.

Koordinatori për të drejtat e pronave në EULEX, Declan O’Mahony, përmes një letre që ia ka kthyer Qendrës, të cilën e posedon gazeta, thotë se është i informuar se policia do t’i largojë nga qendra pa ndonjë vendim gjyqësor. Ai ka rekomanduar qendrën që të konsultojnë një avokat dhe në rast se konsiderojnë që iu duhet që me këtë çështje të merret një gjykatës i EULEX-it, duhet të bëjnë një kërkesë të tillë.

Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarët e BE-së në Kosovë thonë se janë të involvuar në gjetjen e një zgjidhje për problemet që ka Qendra për Paqe dhe Tolerancë në lidhje me pronën.

“Këtë nuk duhet ta shohim vetëm si një rast të izoluar të një OJQ-je të vogël që vepron si një pikëtakim për të moshuarit ku lexojnë gazeta dhe që marrin disa prej shërbimeve bazike shëndetësore. Rëndësia e vendit dhe problemi janë simbolike – raste të këtilla janë një mundësi për institucionet e Kosovës për të demonstruar dëshirën e tyre të sinqertë për të gjetur zgjidhje për probleme të vështira dhe të kujdesen për qytetarët që kanë nevojë, dhe mbi të gjitha dëshirën e Kosovës për të mbetur një shoqëri multietnike me Prishtinën si kryeqytetin e saj multietnik”, ka thënë për gazetën “Zëri”, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar./Indeksonline/

Lini një koment