Kalo te lënda

Qeveria e Kosovës kursen buxhetin

Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ekzekutojë gjysmën e buxhetit vjetor deri në fund të muajit të shtatë. Bazuar në raportin e përkohshëm të buxhetit të publikuar nga Ministria e Financave, ekzekutivi ka shpenzuar nga buxheti 743 milionë euro deri në fundin e korrikut.

Kthyer në përqindje, nga arka e shtetit janë ekzekutuar 47 për qind e shpenzimeve të përgjithshme të planifikuara për këtë vit ani pse përqindja e shpenzimeve sipas kërkesave të FMN-së do të duhej të ishte më e lartë.

Bazuar në marrëveshjen “Stand-By”, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Qeveria obligohej të mbante konstant nivelin e ekzekutimit të buxhetit, në mënyrë që të evitohen për fundin e vitit nivelet e larta të shpenzimeve. Nga arka e shtetit deri në korrik do të duhej të shpenzoheshin së paku 55 për qind e mjeteve financiare, shkruan Koha Ditore.

Përveç shpenzimeve për subvencione dhe transfere dhe shpenzime komunale, në linjat tjera të buxhetit janë bërë më pak se 50 për qind e shpenzimeve të planifikuara. Sipas raportit të Ministrisë së Financave, brenda shtatë muajve, për pagat dhe mëditjet e punonjësve në sektorin publik u shpenzuan gjithsej 203 milionë euro deri në fundin e korrikut./Indeksonline/

Lini një koment